Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Ecje në Prishtinë për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë

Ecje në Prishtinë për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë
Foto: kultplus.com

Një mesazh solidariteti për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë u përcoll përmes ecjes simbolike “Gjurmët e Solidaritetit”, e organizuar në Prishtinë në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Nisma u organizua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Këshillin e Studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Pjesëmarrësit ecën nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te Monumenti “Heroinat”.

Pjesëmarrësit dhe qëllimi i aktivitetit

Në aktivitet morën pjesë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, studentë të Fakultetit Juridik, përfaqësues të ambasadave, institucioneve dhe shoqërisë civile.

Ecja kishte për qëllim të shprehte mbështetje për të mbijetuarit, veçanërisht për gratë dhe vajzat, historitë e të cilave ende nuk janë dëgjuar dhe që vazhdojnë të përballojnë në heshtje barrën e përvojave të tyre.

Përmes pranisë së tyre, pjesëmarrësit përcollën mesazhin se mbështetja ndaj të mbijetuarve kërkon më shumë se gjeste simbolike, duke nënvizuar nevojën për përgjegjësi, angazhim të vazhdueshëm dhe përkushtim ndaj drejtësisë.

Roli i të rinjve dhe kujtesa historike

Një vend të veçantë në këtë aktivitet zuri edhe pjesëmarrja e të rinjve, si një mundësi për të përcjellë kujtesën historike dhe ndjeshmërinë ndaj kësaj të kaluare te brezat e ardhshëm. Mesazhet e tyre u shprehën edhe përmes “Kanavacës së Solidaritetit”, ku u bashkuan zërat në mbështetje të njohjes dhe drejtësisë për të mbijetuarit.

Për aktivitetin ka shkruar edhe Feride Rushiti, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së, e cila ishte pjesë e ecjes së bashku me përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqërisë civile.

Ajo theksoi se çdo hap përfaqësonte një mesazh solidariteti për gratë dhe vajzat që ende bartin në heshtje plagët e luftës, ndërsa pjesëmarrjen e të rinjve e vlerësoi si shpresë që kujtesa dhe përkushtimi ndaj drejtësisë të përcillen ndër breza.

“Asnjë histori nuk duhet të mbetet e padëgjuar, asnjë dhimbje e mohuar dhe asnjë i mbijetuar pa drejtësi”, ishte mesazhi i Rushitit./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha