Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Meloni refuzon të firmosë rritjen e pagave të magjistratëve

Meloni refuzon të firmosë rritjen e pagave të magjistratëve
Foto: ata.gov.al

ROMË, 26 nëntor /ATSH/- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni nuk ka ndërmend të firmosë dekretin për rritjen e pagave të magjistratëve italianë, edhe pas vendimit të Këshillit të Shtetit, i cili i ka kërkuar qeverisë të zbatojë detyrimin për pagesën e diferencave të prapambetura, sipas “La Repubblica”.

Përplasja mes kryeministres dhe Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve (ANM) është thelluar, ndërsa çështja pritet të shoqërohet me përplasje të mëtejshme institucionale.

Afati i Këshillit të Shtetit

Këshilli i Shtetit i ka dhënë qeverisë afat deri më 31 janar, për të nxjerrë dekretin që mundëson zbatimin e vendimit për përshtatjen e pagave për periudhën 2018-2020.

Nëse ekzekutivi nuk vepron brenda këtij afati, magjistratët mund të kërkojnë ndërhyrjen e gjykatës për zbatimin e vendimit.

Sipas përllogaritjeve të qeverisë, kostoja e përgjithshme e pagesave të prapambetura dhe përshtatjeve të pagave, mund të arrijë në afro 1 miliard euro.

Nga ana tjetër, në qarqet e magjistraturës vlerësohet se kjo shifër, është e mbivlerësuar dhe se shumat reale do të jenë më të ulëta.

Qëndrimi i qeverisë dhe i Melonit

Pas vendimit të Këshillit të Shtetit, Meloni i ka dërguar një mesazh kreut të ANM-së, Giuseppe Tango, duke bërë të ditur se ka marrë dijeni për vendimin e ri, por pa ndryshuar qëndrimin e saj.

Sipas burimeve nga presidenca e qeverisë, kryeministrja nuk e konsideron të arsyeshme firmosjen e një dekreti, që do të sillte pagesa deri në rreth 100 mijë euro për person, duke përfshirë diferencat e prapambetura dhe rritjet e pagave.

Qeveria argumenton se, në një periudhë të vështirë ekonomike, kur familjet, punonjësit dhe bizneset kanë nevojë për mbështetje, fondet publike duhet të përdoren për përparësi të tjera.

Sipas qëndrimit të përcjellë nga “Palazzo Chigi”, magjistratët përfitojnë tashmë paga mesatare mbi 137 mijë euro bruto në vit.

Meloni ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve, që do të zhvillohet të shtunën, më 28 nëntor.

Burimet qeveritare kanë deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet për pjesëmarrjen e saj, për shkak të konfliktit të hapur institucional.

Mënyra e llogaritjes së pagave

Përplasja lidhet me mënyrën e llogaritjes së pagave të magjistratëve, të cilat sipas ligjit përshtaten çdo tre vjet, në përputhje me rritjen e pagave në sektorin publik, bazuar në të dhënat e Institutit Italian të Statistikave (ISTAT).

Për periudhën 2018-2020, fillimisht ishte miratuar një rritje prej 4,85%, por Shoqata Kombëtare e Magjistratëve kundërshtoi mënyrën e përllogaritjes.

Në korrik 2025, Këshilli i Shtetit anuloi dekretin përkatës, duke kërkuar rillogaritjen e përqindjes.

Pas rishikimit të të dhënave, ISTAT përcaktoi një rritje prej 6,22%, por për zbatimin e saj nevojitet ende dekreti i kryeministres.

Këshilli i Shtetit ka vlerësuar se përllogaritjet tashmë janë përfunduar dhe se nuk ka më hapësirë për vendimmarrje nga ana e qeverisë lidhur me këtë çështje.

Për momentin, gjykata nuk ka caktuar një komisioner, që të ndërhyjë në vend të ekzekutivit, por kjo mundësi mbetet nëse qeveria nuk e zbaton vendimin.

Ndryshimet në buxhet

Ndërkohë, qeveria ka përfshirë në projektligjin e buxhetit, ndryshime në mekanizmin e ardhshëm të përshtatjes së pagave të magjistratëve dhe kategorive të barazuara me ta.

Ndryshimet synojnë të rishikojnë mënyrën e llogaritjes së rritjeve dhe të përjashtojnë pagesat e prapambetura nga mekanizmi i ri, i cili pritet të zbatohet duke nisur nga viti 2027. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha