Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, dhe kryeministri Albin Kurti u përplasën në seancën e sotme parlamentare.
Rrahmani i tha Kurtit se i kishte besuar kur ky i fundit ishte në opozitë, por jo për angazhimet e tij aktuale.
“Unë as që kërkova mirëkuptimin tuaj. Për angazhimin tuaj për t’i ofruar edhe fëmijëve nën 18 vjeç sterilizimin, janë këto tema që më shqetësojnë dhe për to do të vazhdoj të flas vazhdimisht. Ky diskutim, edhe si kryeministër, unë po të isha në pajtim dhe të kisha menduar si ju, do të isha pjesë e VV-së qysh atëherë. Në momentin e tanishëm nuk kemi asgjë të përbashkët, dhe unë mendoj krejt ndryshe nga ç’mendoni dhe veproni ju. Por ju kam besuar atë që keni premtuar kur ishit në opozitë, jo atë për çka angazhoheni gjatë këtij pushteti”, tha Rrahmani.
Kjo ishte përgjigje ndaj deklaratës së Kurtit, ku tha: “Edhe një herë, deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqet 20 dhe 21 të kësaj përmbledhjeje, të cilën e kam publikuar dje. Këtu ka shumë gjëra. Po e kuptoj, por po e theksoj edhe një herë që nuk e kuptoj pse e rikthen një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual. Provoni ndoshta t’i mbani mendjet diku tjetër, se ndoshta ndihmon.”
Burimi: insajderi.org









