Sesioni i pyetjeve parlamentare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet edhe kësaj here pa praninë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Mungesa e ministrit në seancë
Këtë mungesë e ka ngritur si çështje deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka kërkuar sqarime nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nëse ministri Konjufca ka paraqitur ndonjë arsye për mungesën e tij në seancë.
“Për të tetën herë nuk është këtu zëvendëskryeministri. A do të mund të bëhej një kërkesë zyrtare për të pyetur se kur ka mundësi të jetë në Kuvend, sepse pyetjet po presin dhe ai nuk po gjen kohë të vijë të përgjigjet?”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Përgjigjja e kryetares së Kuvendit
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kanë pranuar një email nga Konjufca, përmes të cilit ka njoftuar se për shkak të angazhimeve zyrtare nuk mund të marrë pjesë në seancë.
“Do ta konsiderojmë që nga sesioni i ardhshëm, pra nga viti i ardhshëm, të ketë seancë të veçantë për pyetje parlamentare. E kuptoj që ministrat e kanë obligim të përgjigjen. Gjithmonë na informojnë kur nuk mund të vijnë, megjithatë do ta trajtojmë këtë çështje”, ka thënë Haxhiu.
Burimi: insajderi.org









