Një parti politike lind nga protesta. Një grup studentësh njofton krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, një nismë ku janë përfshirë edhe pedagogë, të rinj e profesionistë. Luzime Faria, e cila prezantoi partinë, tha se ka nisur mbledhja e firmave dhe se në javët në vijim grupi do të dalë në qytete e fshatra për të prezantuar nismën.
“Për 180 ditë, mijëra të rinj kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur, ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Partia do t’u ofrojë të rinjve një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, tha ajo.
Në prezantim, Faria tha se partia do të ketë drejtues të zgjedhur me mandat të kufizuar, llogaridhënie publike dhe asnjë privilegj për themeluesit.
“Është nisur nga studentët. Ka pedagogë, ka individë që janë të aftë në fusha të ndryshme, që duan të kontribuojnë e që janë bërë pjesë e kësaj partie politike. Kemi nisur me mbledhjen e firmave dhe do të jemi edhe në shesh”, vijoi ajo.
E pyetur nga gazetarët nëse partia e re do të garojë në zgjedhje, Faria tha se kjo do të shihet në vijim. Kur u pyet nëse grupi që shpalli partinë përfaqëson protestuesit në shesh, Faria tha vetëm “Faleminderit” dhe u largua pa iu përgjigjur pyetjes.
Deklarata e plotë
Lulzime Faria: Ne, një grup studentësh, së bashku me të rinj, atdhetarë e profesionistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe diaspora, deklarojmë themelimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”. E hapur për këdo që beson në drejtësi transparencë. Për 180 ditë, mijëra të rinj kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur, ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Partia do t’u ofrojë të rinjve një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Në javët në vijim do të jemi pranë jush në qytete dhe fshatra. Duam të bashkojmë zërat për të ndërtuar një alternativë të re, për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton. Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarde që u kërkohen qytetarëve. Drejtues të zgjedhur me mandat të kufizuar, llogaridhënie publike, asnjë privilegj për themeluesit. Kjo parti s’do të bjerë pre e kultit të individit. Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë.
Është nisur nga studentët. Ka pedagogë, ka individë që janë të aftë në fusha të ndryshme, që duan të kontribuojnë e që janë bërë pjesë e kësaj partie politike. Kemi nisur me mbledhjen e firmave dhe do të jemi edhe në shesh. Do t’ju bëjmë me dije emrat e individëve që përbëjnë partinë. Është një parti e nisur nga studentët, ku janë përfshirë edhe profesionistë.
Do të garoni në zgjedhje?
Janë gjëra që do të shihen në vijim.
A përfaqësoni sheshin e protestës?
Vajza ikën pa u përgjigjur, thotë vetëm Faleminderit.
Burimi: shqiptarja.com










