Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje me bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.
Arsyetimi i Apelit për rolin e Murselit
Sipas arsyetimit të Apelit, të siguruar nga Insajderi, pjesëmarrja e Murselit nuk ka mbetur vetëm te hartimi i planit paraprak dhe sigurimi i armës. Ai ka vazhduar me veprime të drejtpërdrejta në natën kritike, ku e ka mbajtur viktimën për krahu, në mënyrë që goditja me armë zjarri të ishte e saktë. Gjykata e ka trajtuar këtë si element të dinakërisë.
Në vendim theksohet se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt se Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara bashkëshortore dhe motivit të përfitimit material, ka planifikuar eliminimin e Liridona Ademajt. Ai e ka sjellë atë në vendin e ngjarjes bashkë me dy fëmijët e tyre, të moshës 4 dhe 6 vjeç. Pasi ka ndaluar veturën dhe i ka dhënë shenjë me drita Granit Plavës, e ka mbajtur të ndjerën me dorë për krahu, derisa Plava ka shtënë me armë zjarri drejt saj.
Provat mbi të cilat u mbështet gjykata
Këto rrethana, sipas arsyetimit gjyqësor, mbështeten në dëshminë e vëllait të Liridonës, Leonard Ademajt. Ai i ka deklaruar ato bazuar në atë që ka dëgjuar nga fëmija i viktimës, i pranishëm në vendngjarje në momentin e të shtënës. Mbështetje i japin edhe ekspertiza mjekoligjore dhe deklarata e ekspertit Naim Uka, ku konfirmohet ndrydhja në krahun e viktimës, në përputhje me rrëfimin e të dëmtuarit.
Apeli vlerëson se ky veprim i Murselit, bashkë me sjelljen e tij në vendngjarje, plotëson elementin e dinakërisë si formë kualifikuese e vrasjes së rëndë. Mënyra e kryerjes së veprës në prani të fëmijëve, shkalla e lartë e dashjes dhe mungesa e çfarëdo rrethane lehtësuese e bëjnë, sipas Apelit, dënimin me burgim të përjetshëm të drejtë dhe të ligjshëm.
Mohimet e të akuzuarve
Apeli ka konstatuar se shkalla e parë ka marrë parasysh deklaratat e Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës. Ata në mbrojtjen e tyre kanë mohuar kryerjen e veprave penale, “por, jo faktet dhe rrethanat, pra, se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava se si ishin së bashku në vendin e ngjarjes, kur, është privuar nga jeta tani e ndjera Liridona Ademaj“. Gjykata ka marrë gjithashtu parasysh takimet e tyre, të konfirmuara edhe nga deklaratat e Granit Plavës.
Burimi: insajderi.org









