Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Bora Baboçi sjell në Galerinë Kombëtare vizatime mbi udhëtimin e imazheve

Bora Baboçi sjell në Galerinë Kombëtare vizatime mbi udhëtimin e imazheve
Foto: kultplus.com

Artistja Bora Baboçi, përmes veprës “Variacione mbi një kompozim”, sjell një hulumtim artistik mbi mënyrën se si format pamore ndryshojnë, përshtaten dhe qarkullojnë ndërmjet vendeve dhe periudhave të ndryshme. Vepra është pjesë e ekspozitës “Imazhe migruese”, të kuruar nga Erëmirë Krasniqi, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Galeria Kombëtare e Kosovës ka ndarë detaje mbi veprën, e cila përbëhet nga pesë vizatime në letër, me përmasa 42 × 30 centimetra secila, të montuara në korniza metalike. Vizatimet, që ngjajnë me faqe të një libri motivesh, nisen nga Kisha e Shën Pjetrit në Kabash, e njohur edhe si Kisha e Keqe, ku dy shtresa afreskesh nga periudha të ndryshme dëshmojnë qasje të ndryshme ndaj rrëfimit biblik.

Ndikimi i librave të motiveve

Dallimet në stil, përmasa dhe kompozim ndërmjet afreskeve ngrenë pyetje mbi mënyrën se si imazhet dhe dija pamore kanë udhëtuar ndërmjet rajoneve. Një nga mjetet e mundshme të këtij transmetimi ishin librat e motiveve, të cilët, falë lehtësisë së bartjes dhe përshtatjes, mundësonin qarkullimin e motiveve dhe kompozimeve, duke krijuar një gjuhë të përbashkët vizuale përtej largësive gjeografike.

Interpretimi dhe ngjyrat e Onufrit

Baboçi i rikthehet kësaj praktike jo përmes riprodhimit të drejtpërdrejtë të imazheve, por përmes një procesi interpretimi dhe jehonimi, që ruan lidhjen me burimin, ndërsa i jep formë të re. Ngjyrat e gjalla të vizatimeve i referohen gjithashtu krijimtarisë së piktorit Onufri, i cili në afresket e tij përdori ngjyra të ndezura, të frymëzuara nga veshjet popullore.

Ky element sjell në vëmendje ndikimin e traditave vendore në gjuhën pamore të artit kishtar dhe mënyrën se si ato mund të kenë zbutur normat që rregullonin përdorimin e ngjyrës në hapësirat fetare.

Ekspozita “Imazhe migruese” mund të vizitohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 11 dhjetor 2026. Galeria është e hapur nga e marta deri të premten, nga ora 10:00 deri në 18:00, ndërsa të shtunën dhe të dielën nga ora 10:00 deri në 17:00./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha