Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Ish-vjehrra e Arlinda Zekajt: Unë nuk jam fajtore

Ish-vjehrra e Arlinda Zekajt: Unë nuk jam fajtore
Foto: gazetaexpress.com

Ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, Nurije Sylaj, është larguar nga gjykata me pranga në duar, e shoqëruar nga Policia, pas përfundimit të procedurave gjyqësore.

Në një prononcim të shkurtër për IndeksOnline, Syla ka mohuar përgjegjësinë, duke thënë:

“Ndihna kush është fajtor, unë jo. Djali e ka kry.”

Zgjerimi i hetimeve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Hetimet janë zgjeruar ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, Jeton Sylaj, ish-vjehrrës së saj, Nurije Sylaj, ish-kunatit Driton Sylaj dhe dy të tjerëve Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi.

Prokuroria: Nurije Sylaj ishte e pranishme në dhomën ku Albert Sylaj sulmoi me sëpatë viktimën dhe nuk ndërmori asnjë veprim për të ndërprerë sulmin

Kurse, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Aty thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e saj.

Ndërsa, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo që dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Sulmi dhe deklarata e Nurije Sylajt

Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kështu kushte dhe duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.

Po ashtu, në aktvendimin e Prokurorisë thuhet se në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin, ndërsa pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësi të dëshmitares, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.

Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nga provat e deritanishme, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, sidomos njërës ku shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

Me këtë, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprs penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Video:

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha