TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Gjurmët e lashta të Rrugës Egnatia në segmentin Qukës-Skënderbe–Dardhë janë sot një mundësi eksplorimi për turistët vendas dhe të huaj, duke bashkuar trashëgiminë antike, peizazhin dhe traditat e banorëve të zonës.
Me një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga një grup turistësh që përshëndesin nga gjurmët e lashta të Rrugës Egnatia. Kalldrëmi i vjetër, natyra dhe mikpritja e banorëve të zonës ftojnë në një udhëtim mes historisë dhe traditës.
Një arteri e botës antike
Rruga Egnatia është një nga arteriet më të rëndësishme të botës antike. E ndërtuar nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare, ajo niste në Durrës dhe vazhdonte drejt Lindjes, deri në Kostandinopojë.
Turizmi dhe përfitimet për komunitetet
Rehabilitimi dhe promovimi i kësaj rruge e kanë kthyer atë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor, me potencial për të tërhequr qindra vizitorë.
Përtej vlerave historike dhe kulturore, ringjallja e Rrugës Egnatia ka sjellë përfitime ekonomike për komunitetet përgjatë itinerarit, përmes zhvillimit të bujtinave, shërbimeve turistike dhe promovimit të produkteve vendore.
/e.i/j.p/
Burimi: ata.gov.al










