Sezoni futbollistik në Evropë ka nisur prej pothuajse katër muajsh, por 13 skuadra nuk kanë shënuar ende fitore në kampionatet vendore. Mes tyre ka klube nga pesë ligat më të forta evropiane, si Malaga në Spanjë dhe Le Havre në Francë, si edhe ekipe nga kampionate të tjera.
Spanjë dhe Francë
Sipas të dhënave të Flashscore dhe raportimeve të mediave evropiane, Malaga renditet e fundit në La Liga me pesë pikë pas 12 xhirove. Skuadra, e rikthyer në elitën spanjolle, vazhdon ta kërkojë fitoren e parë të këtij edicioni.
Në Ligue 1, Le Havre ka marrë vetëm dy pikë në dhjetë ndeshje, me dy barazime dhe tetë humbje. Mediat italiane raportojnë se është klubi i vetëm nga pesë kampionatet kryesore të Evropës që nuk ka fituar në asnjë garë këtë sezon.
Portugali, Kosova dhe Holanda
Në Portugali, Estoril mbyll tabelën me dy pikë pas dhjetë ndeshjeve dhe në xhiron e fundit pësoi një humbje të thellë ndaj Portos. Në Kosovë, Vushtrria është e fundit me 3 pikë, por e ka regjistruar një fitore: 1-0 kundër Gjilanit.
As ndërrimi i trajnerit nuk ia ka sjellë fitoren Willem II në Holandë. Pas nëntë xhirove pa sukses, klubi shkarkoi John Stegeman. Më pas barazoi me PEC Zwolle dhe në fundjavë u mund 2-1 nga Twente. Bilanci pas 13 ndeshjeve është tri pikë, ndërsa humbja më e rëndë ishte ajo 7-0 në fushën e PSV.
Republika Çeke, Greqia dhe Luksemburgu
Në elitën e Republikës Çeke, Zlín është i vetmi ekip pa fitore. Në 15 xhiro ka marrë tri barazime dhe ka pësuar 12 humbje. Pikët e para i siguroi vetëm në javën e nëntë, duke vendosur, sipas mediave vendase, një rekord negativ në kampionat. Pjesë e listës është edhe Volos në Greqi, me tri barazime e shtatë humbje në dhjetë ndeshje.
Bilancin më të rëndë e ka Swift Hesperange në Luksemburg. Klubi që fitoi titullin në vitin 2023 e nisi sezonin me 12 pikë të zbritura për shkak të problemeve financiare, borxheve ndaj futbollistëve dhe detyrimeve tatimore të papaguara. Në fushë ka humbur të 12 ndeshjet, me gol-diferencë 2:44, ndaj aktualisht figuron me minus 12 pikë në tabelë.
Azerbajxhani dhe Maltа
Araz-Naxçıvan është në vendin e fundit në Azerbajxhan, me katër pikë pas 12 xhirove. Në Maltë, Gżira United kishte pësuar shtatë humbje deri në fillim të nëntorit.
Lista e plotë
Lista e 13 skuadrave pa fitore këtë sezon përbëhet nga Holywell Town (Uells), Zlín (Republika Çeke), Swift Hesperange (Luksemburg), Willem II (Holandë), Malaga (Spanjë), Gżira United (Maltë), Araz-Naxçıvan (Azerbajxhan), Le Havre (Francë), Estoril (Portugali), Volos (Greqi), Lynx (Gjibraltar), Carroi (Andorrë) dhe Faetano (San Marino).
Për disa prej këtyre skuadrave, pas një fillimi kaq të vështirë, synimi kryesor është të largohen nga fundi i tabelës dhe të sigurojnë mbijetesën.
Burimi: www.albeu.com









