Brenda 11 ditësh, dy biznese në pronësi të një shqiptari në Athinë janë bërë objekt sulmesh të dhunshme. Pas djegies së lavazhit më 13 nëntor, mëngjesin e kësaj të marte një shpërthim i fuqishëm ka shkatërruar lokalin e tij në zonën Nea Ionia të kryeqytetit grek.
Pronari i dy bizneseve është identifikuar si shqiptari Aleko Kanani, 39 vjeç.
Vala goditëse e shpërthimit të sotëm ka dëmtuar edhe bizneset që ndodhen deri në 20 metra larg lokalit, banesat përreth dhe automjetet e parkuara. Pavarësisht fuqisë së madhe të shpërthimit nuk raportohet për persona të lënduar.
Si u krye shpërthimi
Siç raporton Top Channel, që citon zyrtarët e Departamentit të Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (TEEM), pajisja shpërthyese ishte bërë nga një enë plastike, në të cilën ishin vendosur material shpërthyes dhe një sistem detonimi me fitil.
Banorët e zonës tregojnë se zhurma shurdhuese i zgjoi nga gjumi.
“Çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kisha kaluar aty? Do të na kishte vrarë. Kaloj këtu çdo mëngjes me bashkëshorten time. Nuk do të kishim shpëtuar”, tha një banor.
“Mendova se kishte rënë tërmet. Ishte një zhurmë e tmerrshme”, tregoi një tjetër.
Policia greke është vënë në kërkim të dy personave të dyshuar si autorë të sulmit, të cilët janë filmuar nga kamerat e sigurisë. Sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve të njësisë së çaktivizimit të eksplozivëve, sasia shpërthyese e përdorur ishte veçanërisht e fuqishme.
Hetimi dhe sulmi i mëparshëm
Policia tani po heton për të dyja sulmet duke u përpjekur të zbardhë motivet dhe lidhjen mes ngjarjeve dhe nëse ato janë një mesazh kërcënues ndaj shqiptarit
Një tjetër aspekt në hetim është fakti që lokali në Nea Ionia ka qenë objekt i një sulmi edhe në vitin 2025, kur persona të panjohur qëlluan me armë zjarri drejt tij. Në atë kohë, sipas mediave greke, biznesi kishte një tjetër pronar.
Kryebashkiaku i Nea Ionias, Panagiotis Manouris, ngriti dyshime se shpërthimi mund të lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale, duke theksuar se bëhet fjalë për incidentin e dytë të kësaj natyre në zonë brenda tre muajsh.
“Me shumë gjasa bëhet fjalë për larje hesapesh. Fatkeqësisht, ky është incidenti i dytë në tre muaj. Tjetri ndodhi në Alsoupolis, në rrugën Kastamonis, sërish në një biznes”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku konfirmoi gjithashtu se lokali kishte ndryshuar pronar së fundmi.
Burimi: shqiptarja.com










