Pjesëmarrja në protestë dyshohet se mund të ketë sjellë pasoja për disa qytetarë edhe gjatë procedurave të daljes jashtë vendit. Pedagogu dhe aktivisti i njohur Ermal Hasimja ka denoncuar një episod të ndodhur sot në aeroportin e Rinasit, ku u veçua gjatë kontrollit të pasaportave dhe u shoqërua në zyrën e një drejtuesi të policisë. Sipas Hasimjas, drejtuesi i policisë i tha se situata kishte lidhje me protestën, duke e justifikuar atë si një ngatërresë të mundshme me një protestues me të dhëna të ngjashme.
“Sot në Rinas gjatë kontrollit të pasaportave më veçuan dhe më shoqëruan në zyrën e ‘shefit’. ‘Shefi’, shumë i sjellshëm dhe disi në siklet më tha se ka lidhje me protestën, por do të ketë qenë ndonjë ngatërresë me ndonjë protestues me të dhëna të ngjashme. Nuk më bindi”, shkruan Hasimja.
Ai ngre dy dyshime lidhur me episodin. Sipas tij, një mundësi është që protestuesit të identifikohen dhe ndaj tyre të ushtrohet presion përmes kërcënimit të kufizimit të lëvizjes jashtë vendit. Mundësia tjetër, sipas Hasimjas, është që policia të kontrollojë nëse personat ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” tentojnë të largohen nga Shqipëria.
Hasimja thekson se punonjësja e policisë që kryente kontrollin e pasaportave nuk e kishte njohur, por kishte konstatuar diçka në sistem, gjë që solli shoqërimin e tij në zyrën e drejtuesit. Rrëfimi ngre pikëpyetje mbi procedurat e kontrollit kufitar dhe mbi një identifikim të mundshëm të qytetarëve për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protesta.
Burimi: kohajone.com










