Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave
Foto: kultplus.com

Me pikturë, fjalë, statistika dhe një instalacion simbolik me trëndafila, ekspozita “Gjaaamë” e artistes Zake Prelvukaj u hap mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, duke sjellë në vëmendje dhunën ndaj grave dhe nevojën për reagim shoqëror e institucional, shkruan KultPlus.

Përmes gjuhës së artit, “Gjaaamë” trajton një nga plagët më të rënda shoqërore, dhunën ndaj grave dhe pasigurinë që shumë prej tyre përjetojnë edhe brenda shtëpive të tyre. Hapësira e galerisë u shndërrua në një vend reflektimi, ku piktura, citatet, statistikat dhe elementet interaktive u ndërthurën për të përcjellë një mesazh që shkon përtej ekspozimit artistik, duke kërkuar vëmendje, përgjegjësi dhe solidaritet.

Vepra qendrore dhe mesazhi i saj

Në qendër të ekspozitës ishte një vepër e Zake Prelvukaj, e cila përmes shprehjes artistike simbolizon sfidat, dhimbjen dhe përballjen e grave me dhunën, frikën dhe pabarazinë. Piktura, e vendosur në hapësirën ekspozuese, shoqërohej me citate dhe mesazhe që e zgjeronin kuptimin e saj, duke e bërë vizitorin pjesë të një përjetimi që nuk kërkonte vetëm vështrim, por edhe ndjeshmëri ndaj realitetit të paraqitur.

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave

Kujtesa e Arlinda Zekajt

Një prej pjesëve më prekëse të ekspozitës ishte prezantimi i citateve të Arlinda Zekajt, e cila u vra mizorisht nga ish-kunati i saj. Fjalët që ajo kishte thënë para se të vdiste u vendosën në këtë hapësirë si një kujtesë e dhimbshme e një jete të ndërprerë dhe e një realiteti që vazhdon të kërkojë vëmendje. Përmes këtyre fjalëve, ekspozita riktheu në kujtesë jo vetëm tragjedinë e saj, por edhe rëndësinë e dëgjimit, marrjes seriozisht dhe reagimit ndaj zërave të grave që përballen me rrezik, dhunë apo kërcënime.

Një tjetër element i veçantë i “Gjaaamë” ishin edhe trëndafilat e bardhë, të vendosur përballë pikturës, si simbol i kujtesës, dashurisë dhe respektit për gratë që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave

Statistikat e dhunës

Në një kënd tjetër të galerisë, ekspozita paraqiste statistika për gratë e vrara në Kosovë nga burrat dhe pjesëtarët e familjeve të tyre. Shifrat, të ekspozuara në mënyrë që vizitorët t’i shihnin dhe të ndaleshin përballë tyre, e zhvendosnin vëmendjen nga rrëfimet individuale drejt një fenomeni që përsëritet dhe që kërkon adresim të vazhdueshëm. Në këtë mënyrë, “Gjaaamë” ndërtonte një dialog mes artit dhe realitetit, duke e bërë të pamundur që dhuna të shihej si një çështje e largët apo e izoluar.

Ekspozita përfshin edhe citate dhe thënie të figurave të njohura ndërkombëtare, të cilat pasqyronin qëndrime, reflektime dhe mesazhe për të drejtat, dinjitetin dhe mbrojtjen e grave. Këto fjalë, të vendosura në hapësirën ekspozuese, krijonin një tjetër dimension të projektit, duke e shoqëruar veprën artistike me zëra që i japin formë një thirrjeje kolektive për ndryshim.

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave

Bashkëpunimi dhe qëllimi i projektit

“Gjaaamë” është realizuar në bashkëpunim mes artistes Zake Prelvukaj dhe drejtoreshës së KultPlus, Ardianë Pajaziti, me synimin që përmes artit të nxitet vetëdijësimi i shoqërisë, institucioneve dhe të gjithë akterëve për mbrojtjen e jetës së gruas. Projekti vë në pah nevojën që dhuna të mos trajtohet vetëm përmes reagimeve të momentit, por të bëhet pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për siguri, drejtësi dhe mbrojtje.

Fjalët e hapjes

Në hapje të ekspozitës, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, duke iu referuar rastit të Arlinda Zekajt, por edhe dhimbjes që shoqëron raste të tilla, foli për domethënien e kësaj ekspozite dhe mesazhin që ajo synon të përcjellë.

“Këtë ekspozitë e kemi realizuar bashkë me artisten e mirënjohur Zake Prelvukaj, që për nga tematika, na ka ngulfatur në njëfarë mënyre edhe mua edhe Zaken. Së bashku me Zaken kemi ardhur në përfundim që kjo natë dhe kjo ekspozitë të quhej ‘Gjaaamë’ dhe ka rezultuar me rastin e fundit të Arlinda Zekajt, disa nga citatet e së cilës i kemi këtu të ekspozuara në mur. Me ‘Gjaaamë’ kemi dashur të tregojmë se nuk ishte e tillë veç vrasja e saj, por i gjithë procesi edhe pas vrasjes ishte një gjamë e madhe në vete”, tha Pajaziti, duke shtuar se njërën anë nëpërmjet artit, e në anën tjetër nëpërmjet përpjekjeve të vetë grave, të bëhet luftë, që ky problem të mos jetë më shqetësues në shoqërinë tonë.

Ndërkaq vetë artistja Zake Prelvukaj tha se kjo ekspozitë vjen si një nevojë për të reaguar krahas dukurive të tilla.

“Kjo pikturë është zgjedhur me qëllim të caktuar sepse në këtë pikturë kam punuar gjatë vitit 1997, kur kam parë gjëra të tmerrshme, të cilat kur i kam punuar dhe pikturuar, i kam mbyllur sytë ato kanë folur me mua dhe janë frikësuar. Është e tmerrshme që në këtë kohë dikush të mendojë që gruaja nuk është subjekt por vetëm një objekt. E kjo natyrisht mua më shtyri që të reagoj, bashkë Ardianë Pajazitin, dhe të jetë një lloj reflektimi pak më ndryshe i një instalacioni. Edhe pse se kemi takuar Arlinda Zekajn, ai formimi i fjalive të saj, dhimbja e saj, gjithë analiza, mua më ka futur në një botë ku kam pyetur veten si të reagoj dhe të jem një homazh për atë shpirtin dhe vuajtjet e saj”, u shpreh Zake Prelvukaj në hapje të ekspozitës.

Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave
Gjaaamë: Zake Prelvukaj ekspozon në KultPlus kundër dhunës ndaj grave

E organizuar nga KultPlus dhe e mbështetur nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ekspozita “Gjaaamë” e vendos artin në shërbim të një mesazhi të drejtpërdrejtë shoqëror, duke kujtuar se heshtja përballë dhunës nuk është zgjidhje dhe se mbrojtja e jetës së grave kërkon përgjegjësi nga të gjithë. /KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha