Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Kerjota: Në Skoci ndihem mirë, por një ditë dua të kthehem

Kerjota: Në Skoci ndihem mirë, por një ditë dua të kthehem
Foto: albeu.com

I lindur në Shkodër dhe tashmë pjesë e Hearts në Skoci, Sabah Kerjota është protagonisti i një historie që Gianluca Di Marzio e cilëson të vështirë për t’u besuar. Gazetari italian ka zhvilluar një intervistë të veçantë me sulmuesin e Shqipërisë, i cili ka ndarë prapaskenën dhe ka folur për planet e tij për të ardhmen.

“Nuk u dorëzova kurrë”, i tha Kerjota Di Marzios. Ai shtoi se e dinte që jeta e tij mund të ndryshonte brenda një çasti. “Në Skoci ndihem mirë, gjithçka është e bukur, përveç të ftohtit”, u shpreh ai me humor.

Adaptimi te Hearts

Pas transferimit te Hearts një vit më parë, Kerjotës iu desh kohë për t’u përshtatur, por më pas u kthye në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. “Për Edinburgun mund të them vetëm fjalë të mira. Përvoja më e bukur është të luash përballë ekipeve të mëdha si Celtic dhe Rangers. Të zbresësh në fushë në ‘Celtic Park’ ose në ‘Ibrox’ është ëndërr për çdo futbollist. E njëjta gjë vlen kur luajmë në shtëpi, në ‘Tynecastle'”, tha ai. Në 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shqiptari ka shënuar tre gola dhe ka dhënë shtatë asistime.

Para aventurës në Skoci, ai e nisi rrugëtimin në Serie D, te Sambenedettese. Kerjota tregoi se përshtatja me realitetin e ri kërkoi punë të madhe: “Nuk mjafton teknika; nevojiten edhe fiziku dhe vrapimi. M’u desh të stërvitesha shumë.”

Sfida e radhës dhe Kombëtarja

Të enjten, Hearts do të luajë ndaj Monacos në Conference League. Ndeshja nis në orën 18:45 dhe pritet të jetë një sfidë e vështirë dhe kërkuese. “Pres një përballje të fortë, por tifozët tanë na mbështesin gjithmonë dhe nuk do të jemi vetëm”, u shpreh Kerjota. Ai vuri në dukje se skuadra duhet të ruajë përqendrimin, pasi dy ditë më vonë do të përballet me Celtic në kampionat dhe do të duhet të menaxhojë energjitë.

Kerjota foli edhe për emocionet që përjetoi kur mori ftesën e Kombëtares. “Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Nuk di si ta shpjegoj. Ende nuk kam debutuar, por do të jap maksimumin për të shfrytëzuar mundësitë e ardhshme. U stërvita me lojtarë që vetëm pak muaj më parë i ndiqja në televizor.” Ai mbetet i vendosur të vazhdojë përpara, edhe pse ende nuk e ka pasur rastin të debutojë.

Mesazhi i tij për të tjerët është të mos dorëzohen: “Në futboll duhen cilësi dhe fat, por duhet të përballesh edhe me dëmtimet. Megjithatë, gjithmonë u them të mos dorëzohen kurrë.”

Synimi më i madh i Kerjotës është të luajë në Serie A, por ai e sheh rrugën drejt kësaj ëndrre si një proces me hapa të njëpasnjëshëm. Për momentin, ndihet i lumtur te Hearts.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha