Ekspertja e ekonomisë, Etleva Treska, deklaron se Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë fonde për infrastrukturën, duke qenë një vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Treska theksoi se vendi ynë konsiderohet si një rezervuar ujor dhe do të shërbejë si burim energjetik rezervë për Europën.
Treska shtoi gjithashtu se në Shqipëri do të ndërtohet një fabrikë për ruajtjen e energjisë.
Prioritetet e Shqipërisë si vend kandidat
“Një nga prioritetet kur je vend kandidat dhe synon të bëhesh anëtar i BE-së janë fondet që jepen, veçanërisht për infrastrukturën. Tashmë po shikohet edhe korridori VIII, kjo do të kthehet në praktikë, në mënyrë që shqiptarët të jenë dominues sa i përket korridorit VIII, gjë që ka shumë rëndësi për ekonominë. Kanë ardhur fondet për Durrës-Rrogozhinë dhe do të vazhdohet edhe me politika të tjera. Nga informacionet që kam, po shikohet edhe sektori i energjitikës. Shqipëria shihet si një rezervuar ujor dhe do të jetë rezervë për gjithë Europën. Ne kemi një ligj që parashikon diversifikimin e energjisë. Lejohen eoliket, panelet dhe hidrocentralet.
Ne do të bëhemi një qendër depozitimi, në mënyrë që Europa, në kohë krize, të mund të marrë dhe të plotësohet me energji. Janë kryer edhe lidhjet ndërkufitare, kështu që kur fqinji nuk ka energji, mund të marrë nga ne, dhe anasjelltas. Duhen firmosur disa dokumente, do të jemi pjesë e energjisë gri, do të kemi mundësinë që energjia jonë të jetë e qëndrueshme dhe të shitet me çmime të larta. Në momentin që qeveria do të ketë mirëkuptimin për t’u bërë pjesë e këtij sistemi, do të kemi të ardhura nga energjia. Ne kemi mundësi të shfrytëzojmë energjinë e paneleve, të erës, por edhe të ujit.
Ruajtja e energjisë dhe bateritë
Kemi një problem me panelet diellore. Duke mos pasur bateri ku të akumulohet energjia, pra magazinim, kur i japim shtetin në kontratë më shumë energji, kjo nuk njihet, ndërsa kur marrim më pak, është problem. Po ndërtohen fabrika për krijimin e baterive. Fabrika do të ndërtohet në Shqipëri dhe bateritë nuk do të jenë me litium. Ne kemi bërë panele, por është sikur të kesh hidrocentral pa digë. Tashmë që do të sillen edhe bateritë, do të ketë mundësi akumulimi. Bashkë me këtë, do të ketë edhe sfera robotike, ku fshatarët, përveçse do të kenë mundësi të prodhojnë produkte europiane, do të mund të shesin energji duke u bërë pjesë e sistemit”, theksoi ajo./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










