Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Kanali i Panamasë në vështirësi nga thatësira dhe kërcënimet e Trump

Kanali i Panamasë në vështirësi nga thatësira dhe kërcënimet e Trump
Foto: reporteri.al

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, bëri thirrje sot për një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar, me qëllim që rrugët detare të mbeten të hapura për anijet tregtare.

Gjatë një takimi në Panama Siti me ministrin e Jashtëm të Panamasë, Javier Martínez-Acha, Wadephul paralajmëroi se rrugët ujore, si kanalet e Panamasë dhe të Suezit, por edhe Ngushtica natyrore e Hormuzit, janë jetike për ekonominë botërore.

“Këto rrugë ujore janë arterie jetike të ekonomisë botërore dhe nuk duhet të bllokohen”, deklaroi ai, duke shpjeguar se një bllokim i tyre do të sillte pasoja të rënda për ekonominë globale.

Wadephul theksoi se këto rrugë duhet të mbrohen nga çdo kërcënim, qoftë për shkak të fatkeqësive natyrore, luftërave apo ndërhyrjeve që pengojnë lëvizjen e lirë të anijeve.

Kanalin e Panamasë dhe ndikimi i Kinës

Ai iu referua edhe kërcënimeve të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se SHBA-ja mund ta rimarrë kontrollin mbi Kanalin e Panamasë, nëse do të ishte e nevojshme.

Sipas Wadephul, kritikat e Trumpit lidhen me praninë dhe ndikimin e madh të Kinës në Amerikën Latine.

Ministri i Jashtëm i Panamasë, Javier Martínez-Acha, deklaroi se pavarësia e Kanalit të Panamasë nuk është e negociueshme.

Ai tha se Trumpit i ishin shpjeguar arsyet pse është e domosdoshme të respektohen sovraniteti i Panamasë mbi kanalin dhe neutraliteti i tij, që do të thotë se kanali duhet të mbetet i hapur për lundrimin ndërkombëtar, pa u përdorur si mjet presioni nga një shtet kundër një tjetri.

Megjithatë, Martínez-Acha nënvizoi se SHBA-ja mbetet partneri historik më i rëndësishëm i Panamasë në fushën e bashkëpunimit dhe sigurisë.

Rëndësia e kanalit dhe problemet nga thatësira

Rreth 40% e transportit amerikan të mallrave me kontejnerë dhe 5% e tregtisë detare globale kalojnë përmes Kanalit të Panamasë, i cili lidh Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor.

Sipas Wadephul, në një kohë kur bashkëpunimi ndërkombëtar po dobësohet, shtetet duhet të mbrojnë së bashku të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e lundrimit.

Kanali u ndërtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të shekullit XX.

Më 31 dhjetor 1999, SHBA-ja ia kaloi administrimin Panamasë.

Deri më tani, nëpër kanal kalonin rreth 13 mijë anije në vit, ose 35 deri në 40 anije në ditë.

Megjithatë, thatësira po krijon probleme serioze për funksionimin e kanalit.

Fenomeni klimatik “El Nino”, i cili shkakton periudha me pak reshje shiu në rajon, po ul nivelin e ujit që nevojitet për kalimin e anijeve.

Për këtë arsye, aktualisht mund të kalojnë rreth 33 anije në ditë, nga një kapacitet maksimal prej 40 anijesh. Sipas raportimit, ky numër po vjen duke u ulur. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha