Në prill, Konrad-Adenauer-Stiftung, një fondacion gjerman, financoi një sondazh kombëtar. U intervistuan ballë për ballë 1111 të rritur nga Vermoshi në Konispol, me përfaqësim proporcional sipas zonës urbane apo rurale, gjinisë dhe grupmoshës. Një nga pyetjet ishte: “Sa janë të ardhurat mujore të familjes suaj?”
Të ardhurat e familjeve
Mbi gjysma e të intervistuarve raportuan të ardhura prej 1 deri në 750 euro në muaj (4.9% deri në 300 euro; 20% nga 300 deri në 500 euro; 25.6% nga 500 deri në 750 euro).
Si mbijeton kjo gjysmë familjesh shqiptare me të ardhura kaq të ulëta?
Shumica e tyre (95.5%) jetojnë në shtëpitë e tyre, pra nuk paguajnë qira. Megjithatë, shpenzimet e tjera mbeten të papërballueshme, duke pasur parasysh se sipas INSTAT-it shpenzimi mesatar i një familjeje shqiptare është rreth 1000 euro në muaj.
Ndihma nga emigracioni
Po në sondazh u pyetën edhe: “A ju ndihmojnë shpesh të afërm në emigracion me dërgesa në valutë?”
Mbi 9 nga 10 të intervistuar me të ardhura mujore nga 1 deri në 750 euro u përgjigjën “shpesh” ose “rrallë”. Shumica e tyre, pra, mbijetojnë falë ndihmës së të afërmve jashtë vendit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat valutore nga emigracioni arritën vitin e kaluar shifrën rekord prej 1 miliard e 120 milionë euro. Nga të dhënat e sondazhit, është e mundur që një pjesë e madhe e këtyre dërgesave të kenë mbajtur gjallë familjet me të ardhura 1 deri në 750 euro në muaj.
Burimi: top-channel.tv









