Për shumë vite, fantazma e Fatos Nanos e viziton Erion Veliajn në qeli mbas mesnatës, duke i treguar pa pushim historinë dramatike të jetës së tij.
I tregon momentin kur u dërgua me pranga në burgun e Tiranës, çastin kur u degdis si i burgosur i zakonshëm në Bënçë të Tepelenës, dhe rikthimin triumfues në Tiranë si kryeministër. Fatos Nano ishte atëherë i vetmi i burgosur në botë që e bëri burgun paradhënie: u dënua pa faj, dhe “krimet” e tij mbetën pa ndëshkim, pasi më pas ai u lirua. Veliaj pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe me të.
U paradënua nga një gjyq popullor që e quajti fajtor menjëherë pas arrestimit. Vazhdon të vuajë një paraburgim që, sipas tij, është i padrejtë, joproporcional dhe i paligjshëm në kohëzgjatje, dhe ka pësuar diskriminim të fortë në të drejtat e tij si qytetar i thjeshtë, në përditshmërinë e një të paraburgosuri që pret gjykimin.
Paralelet dhe armiqësitë
Paralelet mes fatit të Veliajt dhe atij të ish-kryetarit historik të socialistëve mbarojnë këtu. Nuk mund të quhen të tilla as armiqësitë e tyre reciproke. I pari fajësonte Berishën si autor të arrestimit dhe dënimit të tij; i dyti ka filluar të tregojë me gisht Edi Ramën si arkitekt të komplotit kundër tij. I pari kishte të drejtë, dhe kjo tashmë është e verifikuar. I dyti e pretendon të njëjtën gjë dhe ka hedhur si sfidë fjalën e tij kundër heshtjes së deri tani të kryeministrit.
Të dy, në kohë të ndryshme, por për të njëjtat motive, kanë shpallur luftë totale ndaj shkaktarëve të fatkeqësive të tyre. Në këtë gjurmë, Veliaj kaloi së fundmi Rubikonin me kërkesën e tij për një komision hetimor parlamentar, që të verifikojë rolin e kryeministrit Rama në transferimin nga Durrësi në Fier, trajtimin arbitrar në burg dhe shkeljen e të drejtave të tij si i paraburgosur. Veliaj e di qartë që ky komision nuk do të ngrihet kurrë, pasi ai nuk legjitimohet si subjekt për një kërkesë të tillë. Ky është, në fakt, një hap tejet i llogaritur, një gur që synon të vrasë tre zogj me një goditje.
Llogaritë politike
Veliaj synon të marrë statusin e viktimës dhe atë të të përndjekurit politik nga Rama, në sy të opinionit publik. Kjo do të ndihmonte krijimin e një narrative krejt tjetër, në një kohë kur hetimi mund të shtojë akuzat ndaj tij, dhe do ta vendoste atë në qendër të një cikloni të ri penal që nis nga fusha famëkeqe e mbledhjes së mbeturinave të Tiranës.
Landfilli i Sharrës dhe inceneratori që mungon janë shndërruar në makthin që i prish gjumin shumë figurave të fuqishme të politikës, biznesit dhe madje edhe medias në Tiranë. Duke kundërsulmuar, Veliaj i del përpara akuzave të mundshme ndaj tij dhe disa bashkëpunëtorëve të ngushtë, duke i paraqitur ato si rrjedhojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit tek SPAK-u.
Shpresa për Strazburgun
Veliaj pret gjithashtu një vendim të shpejtë të Strazburgut për paraburgimin e tij. Dy raste të mëparshme, Gëllçi dhe Bejleri, janë tipike për të kuptuar çfarë do të ndodhë edhe me të. Paraburgimi i Veliajt pritet të quhet joproporcional, i zgjatur në mënyrë të paligjshme dhe pa shqyrtuar mundësinë e masave alternative.
Fitorja në Strazburg, e cila nuk ka të bëjë me fajësinë dhe thelbin e akuzave, do të ndikojë opinionin publik. Aty do të mbetet ideja se Veliaj është i burgosur politik i ish-vëllait të tij kryeministër, dhe viktimë e një komploti pushteti, edhe nëse fajtor për veprimet e tij. Pas kësaj i mbetet vetëm të presë, të presë që i njëjti fat që e ngriti lart njëherë dhe e zhyti në humnerë më pas, ta thërrasë sërish në apel.
Pushteti në Shqipëri afron gjithçka. Alkimia e tij e shndërron fajësinë në virgjëri dhe mëkatin në virtyt.
Fantazma dhe revanshi
Këto llogari i bën Erion Veliaj kur ndahet në të gdhirë nga fantazma e Fatos Nanos, që i këshillon revanshin si ilaç për hakmarrjen. Sipas llogarisë së ish-kryeministrit, Veliajt i kanë mbetur edhe dy vjet burg. Dy të tjera i ka kaluar tashmë në qeli. Me kusht që historia të bëjë një përjashtim dhe të interpretojë dy herë radhazi të njëjtën dramë politike.
Burimi: top-channel.tv










