Një i ri shqiptar 18-vjeçar është dënuar në Francë me 18 muaj burg, gjobë prej 805 mijë eurosh dhe ndalim hyrjeje në vend për 10 vjet, pasi u kap duke transportuar drogë të fshehur në baterinë e një automjeti Mercedes.
Kontrolli doganor dhe gjetja e drogës
Ngjarja ndodhi më 29 qershor, kur një patrullë e doganave franceze ndaloi për kontroll automjetin që drejtohej nga i riu shqiptar. Për shkak të shiut, doganierët i kërkuan të zhvendosej në një vend të mbrojtur, por makina nuk ndizte pa ndihmën e një pajisjeje të posaçme për baterinë. Ky detaj bëri që efektivët të kryenin kontrolle më të hollësishme, duke zbuluar brenda baterisë së modifikuar 2,36 kilogramë kokainë dhe 1,23 kilogramë heroinë.
Sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë, 18-vjeçari kishte udhëtuar me avion nga Tirana drejt Brukselit, ku i ishte dorëzuar automjeti që duhej të transportonte. Për këtë shërbim, ai kishte pranuar një pagesë prej 400 deri në 500 eurosh nga një person pothuajse i panjohur.
Mbrojtja e të riut dhe sjellja gjatë procesit
Sipas medias franceze, i riu, i cili nuk fliste frëngjisht dhe nuk kishte precedentë penalë, deklaroi se në Shqipëri kishte punuar si kamarier dhe ishte në formim profesional, ndërsa kishte pranuar ofertën për të siguruar të ardhura dhe për të ndihmuar familjen. Ai pretendoi se ishte mashtruar dhe se kishte firmosur dokumente pa i lexuar.
Gjatë procesit gjyqësor, i riu refuzoi të jepte kodin e telefonit të tij iPhone, ndërsa në dosje u përmendën edhe një kartë pagese që nuk i përkiste atij dhe një automjet tjetër DS3 i regjistruar në emrin e tij në zonën e Dole. Ai deklaroi gjithashtu se në Shqipëri kishte borxhe prej 500 deri në 600 eurosh dhe se dëshironte të kthehej në vendlindje për të rifilluar jetën.
Avokati i tij kundërshtoi procedurën e kontrollit doganor, duke pretenduar parregullsi, por këto pretendime nuk e penguan gjykatën të vijonte me vendimin.
Vendimi i gjykatës
Në përfundim, Gjykata e Lons-le-Saunier e dënoi Endri Katalinën me 18 muaj burg, me mbajtjen në paraburgim, gjobë prej 805.690 eurosh dhe ndalim të hyrjes në territorin francez për 10 vjet. Gjithashtu, u vendos konfiskimi i automjetit Mercedes.
Burimi: shqiptarja.com









