Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Probleme globale me Microsoft dhe Apple pas bankave dhe trafikut ajror

Probleme globale me Microsoft dhe Apple pas bankave dhe trafikut ajror
Foto: lajmifundit.al

Një tjetër gjigant i teknologjisë është përballur me probleme në infrastrukturën e tij online. Shërbimet e Apple u ndërprenë gjatë ditës së martë, duke prekur miliona përdorues që raportuan vështirësi në përdorimin e App Store, Apple Music, iCloud dhe Apple Pay.

Sipas faqes Downdetector, raportimet e para për probleme lidhjeje filluan rreth orës 11:30 sipas kohës lindore të SHBA-së. Rreth orës 12:29, numri i ankesave u rrit ndjeshëm dhe arriti në mijëra.

Shërbimet e prekura

Faqja zyrtare e Apple për statusin e sistemeve konfirmoi disa ndërprerje. Sipas njoftimit, hyrja në llogaritë iCloud mund të ishte e ngadaltë ose përkohësisht e pamundur, ndërsa App Store dhe Apple Music ishin jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike. Gjithashtu, shërbimi AppleCare në pajisje ishte përkohësisht i padisponueshëm për të gjithë përdoruesit.

Ankesat përfshinë edhe Apple Pay dhe aktivizimin e pajisjeve. Disa përdorues raportuan se nuk arrinin të hynin në llogaritë e tyre Apple nga asnjë prej pajisjeve që përdornin.

Përveç këtyre shërbimeve, probleme u raportuan edhe në Schoolwork dhe Apple School Manager, ndërsa ndërprerja e AppleCare vazhdoi të jetë aktive gjatë pasdites së së martës.

Asnjë shpjegim zyrtar

Kompania nuk ka dhënë ende një shpjegim zyrtar për shkakun e problemeve dhe nuk iu është përgjigjur menjëherë kërkesës së mediave për koment.

Ndërprerja vjen vetëm pak ditë pas një defekti të madh që preku shërbimet e Microsoft më 12 nëntor, duke nxjerrë jashtë funksionit për disa orë aplikacione të rëndësishme si Outlook dhe Teams. Kompania arriti të rinisë shërbimet mëngjesin e ditës pasardhëse, ndërsa të hënën ia atribuoi incidentin një problemi të vjetër në sistem.

Probleme edhe në sisteme të tjera

CNN raportoi gjithashtu për një ndërprerje në një rrjet komunikimi shumë të klasifikuar, të përdorur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Probleme teknike u raportuan edhe në sistemet e disa bankave amerikane, duke shkaktuar vonesa në shërbimet bankare online.

Megjithatë, sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, hodhi poshtë mundësinë që valët e ndërprerjeve të ditëve të fundit të jenë pasojë e sulmeve kibernetike.

“Ju them me siguri të plotë se nuk jemi nën sulm. Nuk ka asnjë kërcënim kibernetik që po ndodh. Vendi është shumë i sigurt”, deklaroi Mullin në një intervistë për CNBC.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha