Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Rama: BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen ndaj zgjerimit

Rama: BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen ndaj zgjerimit
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një mundësi e rëndësishme për forcimin e institucioneve dhe shtetit shqiptar, ndërsa theksoi se BE-ja duhet të gjejë një qasje të re politike ndaj zgjerimit, duke ruajtur parimin e meritës.

Gjatë bashkëbisedimit në Forumin e Paqes në Paris, Rama iu përgjigj pyetjeve mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë, diskutimet për anëtarësimin e Ukrainës, të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe kuptimin e lirisë në kuadër të projektit evropian.

Ukraina dhe rregullat e anëtarësimit

I pyetur nëse diskutimet për një trajtim të përshpejtuar të Ukrainës mund të përbëjnë një përjashtim nga rregullat e anëtarësimit në BE, Kryeministri tha se një përjashtim i tillë nuk ekziston, ndërsa vlerësoi kontributin e Ukrainës në mbrojtjen e Evropës.

“Dëgjoni, pikësëpari ky përjashtim është gënjeshtër. Kushdo që e thotë po gënjen, sepse nuk ndodh. Unë besoj, së dyti, që Ukrainës në fakt duhet t’i njihen të gjitha meritat, sepse po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Evropën dhe për mënyrën e jetesës së Evropës”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se në paketën e re të zgjerimit janë katër vende që konsiderohen në pararojë të procesit.

“Unë besoj se në paketën e re të zgjerimit ka qartësi rreth katër vendeve që konsiderohen se janë pararojë, që janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia”, deklaroi Kryeministri.

Anëtarësimi si mundësi për shtetin shqiptar

Rama vlerësoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është veçanërisht i rëndësishëm për vende si Shqipëria, të cilat, sipas tij, kanë nevojë të forcojnë traditën institucionale dhe ndërtimin e shtetit.

“Besoj që procesi i anëtarësimit është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë vendeve si tonat. Ne nuk jemi Franca që ka qenë shtet, që është prej një kohe shumë të gjatë e ka pasur struktura qysh prej një kohe shumë të gjatë. Ne jemi një vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët. Jemi me një traditë shumë të vogël, në mos joekzistuese të shtetit, të institucioneve që mbajnë një vend së bashku. Ndaj, Bashkimi Evropian është një bekim, sepse na jep instrumentet për të ndërtuar institucionet tona dhe shtetin tonë. Ndaj besoj se procesi është i gjatë. Po, është i gjatë, por është i nevojshëm. Askush nuk duhet ta tejkalojë apo ta kalojë shansin, sepse është njësoj si të marrësh patentën pa e ditur si t’i japësh makinës dhe të përplasesh vetë, e të dëmtosh të tjerët. Kështu që kemi parë disa të tilla në Evropë”, tha Rama.

Zgjerimi dhe modeli i Helmut Kohl

Sa i përket mënyrës se si duhet të vijojë procesi i zgjerimit, Kryeministri u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një moment të ngjashëm me atë të bashkimit të Gjermanisë, duke iu referuar rolit të ish-kancelarit Helmut Kohl.

“Unë besoj se rruga e vetme që mund të jetë ndryshe, është që Bashkimi Evropian të gjejë kurajën, të mbërrijë tek “momenti i tij Helmut Kohl”, siç e them shpesh. Helmut Kohl kur shkoi te Muri i rrëzuar, nuk u tha bashkëqytetarëve gjermanolindorë, “tani jeni të lirë, po ka 33 kapituj që duhet t’i kaloni”. Jo, i tha “jeni të lirë, tashmë jemi bashkë” dhe pastaj institucionet filluan të lidhen me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Rama propozoi që vendet që negociojnë anëtarësimin të përfshihen më drejtpërdrejt në tryezën e diskutimeve të Bashkimit Evropian, pa cenuar kriteret dhe detyrimet e procesit.

“Pra, Bashkimi Evropian duhet t’i ulë rreth tryezë këto shtatë vende që negociojnë dhe duhet të jenë si fëmijët e Ursulës. Ursula ka shtatë fëmijë. Është rastësi, koincidencë. Pra ajo s’i ka rritur në lagje fëmijët e saj. I ka rritur me bashkëshortin e vet në shtëpi, rreth tryezës. Pra, nuk iu tha “shkoni, provojeni të rriteni aty në lagje dhe pastaj ejani”. Ndaj, procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë të jetë siç është. Çdo vend duhet të vazhdojë të bëjë “detyrat e shtëpisë”, por çdo vend duhet të ulet rreth tryezës. Në qoftë se do të marrësh më shumë nga tryeza, duhet të japësh më shumë në procesin bazuar në meritë. Por politikisht kjo është mënyra për të ndryshuar paradigmën e proceseve që s’mbarojnë kurrë, e të vetove e kështu me radhë. Sa do të ndodhë? Nuk e di, nuk jam i sigurt, por a është gjëja e drejtë për t’u bërë? Po, besoj, po!”, theksoi Kryeministri.

Shqipëria dhe e ardhmja e Evropës

Në vijim, Rama u pyet se si e përfytyron Shqipërinë në Bashkimin Evropian pas dhjetë vitesh. Ai u shpreh se, përpara së gjithash, vetë Bashkimi Evropian duhet të përballojë sfidat e brendshme dhe ndryshimet në skenën politike evropiane.

“Dëgjoni, shpresoj që pikësëpari Bashkimi Evropian t’ia dalë me sukses të shpëtojë prej vetvetes. E gjithçka tjetër pastaj do të jetë në rregull për ne. Shqipëria do të jetë mirë. Por a do të jetë Evropa mirë? Kjo është diçka që Bashkimi Evropian duhet ta zgjidhë, sepse sfida e madhe nuk është kundrejt Shqipërisë, por kundrejt vetë Bashkimit Evropian, në një botë që po ndryshon e në të cilën, po kjo është për një forum tjetër, Evropës i duhet të përballet me “djallin” e medias sociale”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se vonesat në trajtimin e ndikimit të medieve sociale mund të thellojnë polarizimin politik dhe të dobësojnë qendrën politike në Evropë.

“Sa më shumë i “zvarrit këmbët” Evropa pa e trajtuar këtë çështje, aq më pak do të jetë në gjendje që të mbledhë veten. Sepse ajo çfarë po ndodh, është që politika evropiane po humbet, po i bjerret krejt qendra. Gjërat po shkojnë gjithmonë e më tepër në skaje dhe qendra është bërë si një varr masiv dhe në këtë varr masiv, Evropa mund të rrëshkasë njëherë e përgjithmonë në qoftë se nuk do të përballet me këtë “djall””, u shpreh ai.

Kuptimi i lirisë

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri foli edhe për kuptimin e lirisë. Rama e lidhi lirinë me mundësinë për të lëvizur, për të komunikuar dhe për të shprehur mendimet pa kufizime.

“Unë e përkufizoj lirinë si mundësia për të ardhur këtu e për të folur me ju diçka që kur isha në moshën tuaj – nuk e di çfarë moshe keni – pikërisht, pikërisht në moshën tuaj 26-vjeçare, më duhej të luftoja që të kisha mundësi të kapërceja kufirin e Shqipërisë për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë. Të jem ku dua, të flas me kë dua, të them atë që mendoj sa më shumë të mundem, edhe pse në pozicionin që mbaj nuk them dot gjithçka dua”, tha ai.

Në përgjigje të një pyetjeje mbi projektin e Shtetit sovran Bektashi në Tiranë dhe nëse ai do të vijojë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Rama u përgjigj se, “po, po punojmë për këtë dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë”.

/gj.m/r.e/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha