Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Protesta u përshkallëzua në dhunë nga një grup i vogël

Rama: Protesta u përshkallëzua në dhunë nga një grup i vogël
Foto: top-channel.tv

10/11/2026 18:25

Kryeministri Rama është pjesë e një diskutimi në Musée de l’Homme, Parisi, ku zhvillohet “Forumi i Paqes”. Bashkëbisedimi i kushtohet zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri.

Protestat dhe dallimet mes tyre

_Së pari, zoti kryeministër, në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera evropiane të rinjtë po demonstrojnë në rrugë. Çfarë kanë të përbashkëta këto protesta me ato që po ndodhin për shembull në Itali dhe në Francë dhe çfarë është unike për këto që kanë nisur pak më herët dhe me motivacion specifik, kështu që ju lutem e keni ju radhën._

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit. Faleminderit shumë që më ftuat këtu. Është kënaqësi që të kthehem në këtë Forum të Paqes çdo vit. Është po ashtu kënaqësi të flasësh me ju duke e ditur që përfaqësoni një institut studimor që është një prej burimeve më me emër të dijes dhe të frymëzimit për projektin evropian. Për t’ju kthyer pyetjes suaj do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre. Në të njëjtën kohë do të bëja një dallim midis asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet masive të fillim qershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe që shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë të projektit të famshëm ose famëkeq, quajeni si të doni, që lidhet me Jared Kushner, pra dhëndrin e Donald Trump, dhe që ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti këtë zemërim, po të themi të demit, në thonjëza, në qytetin tonë.

Nga kjo mbeti më pas një numër shumë i vogël protestuesish që e përshkallëzuan në dhunë, që sigurisht nuk është e pranueshme dhe që nuk ka asnjë lidhje me atë që ishte protesta në fillim fare. Është një situatë komplekse në mbarë Evropën, që në fakt do ta përkufizoja edhe si përplasje midis botës reale dhe botës së medias sociale, prej nga shumë të rinj marrin informacionin, dizinformacionin apo të dyja, dhe po kështu edhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Faleminderit shumë!

Demokracia dhe kapitujt e anëtarësimit

_– Siç thashë, procesi i anëtarësimit konsiderohet si një prej më të përparuarve në Ballkan. Megjithatë ka kapituj të cilët kanë lidhje me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. A tregojnë këto protesta dobësi në këto fusha dhe a mund të pengojnë ato përparimin në këtë drejtim?_

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, mendoj se kudo ku ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar dhe arsye për të cilat duhet menduar, në përpjekje për të gjetur se çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është shumë kompleks, siç thashë, shumë i larmishëm. Ka një mori gjërash që janë si një tenxhere ku zien gjithçka: nga shqetësimi i përgjithshëm për mjedisin, te gjepurat antisemite të ushqyera apo të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, konkretisht Republika Khomeiniste e Iranit, dhe gjithashtu edhe partitë e opozitës, të mëdha apo të vogla. Së fundi nuk fshihen as pas fëmijëve apo të rinjve të radikalizuar me iluzionet e Antifas, e më tej nga njerëz që kanë shqetësimet e tyre, shqetësime legjitime për koston e jetesës, deri te njerëz që janë sjellë e paguar nga krimi i organizuar. Kështu që është shumë komplekse. Është një gjë e tërë shumë komplekse që në fund nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra, me rregulla të ndryshme. Nga njëra anë duhet të dëgjosh, të përpiqesh të krijosh dialog dhe të reflektosh për gjëra të ndryshme, çka ne e bëjmë gjatë gjithë kohës dhe që janë pasqyruar edhe në buxhetin e ri, me shumë masa që do ta lehtësojnë pak trysninë e kostos së jetesës. Nga ana tjetër, ka rregullat e shtetit të së drejtës, puna e policisë, e prokurorisë dhe e gjykatave kundër personave që kanë kryer shkelje. Kështu që është shumë komplekse.

Besimi i të rinjve te anëtarësimi

_– E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sa komplekse është, edhe pse konteksti është ndryshe, siç edhe ju e përmendët. Procesi i anëtarësimit kërkon disa vjet, përgjithësisht sipas mendimit tuaj. A i besojnë ende të rinjtë te anëtarësimi apo po shkurajohen?_

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, shqiptarët janë shumë të veçantë në lidhje me këtë, si me gjithë gjënë, sepse ndryshe nga vende të tjera në Ballkanin Perëndimor kemi një histori tjetër. Ne nuk kemi qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne nuk ishim pjesë e ish-bllokut lindor si të tjerët. U ndamë nga blloku lindor që në vitet ’60. Pastaj u hodhëm në një marrëdhënie shumë të veçantë dhe unike me Kinën e Maos, dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës Koreja e Veriut e Evropës. Kur dolëm nga ky ferr, dolëm të transformuar tërësisht në taleban perëndimorë, në një kuptim, domethënë në fanatikë të Perëndimit, për arsye të mira, sepse kemi normën më të lartë të euro-optimizmit në Evropë, dhe mbetemi të tillë, sepse për shqiptarët dhe për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është ajo që ishte për etërit themelues: jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi. Kështu që nuk ka asnjë dyshim se, pavarësisht konflikteve të brendshme, polarizimit, pikëpamjeve politike apo protestave, absolutisht të gjithë bien dakord që Evropa është objektivi dhe destinacioni ynë i përbashkët. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër dhe as nuk e kërkojmë një të tillë. Ne nuk ndikohemi nga askush tjetër përveç projektit evropian. Jemi mirëfilli evropianët më të mirë që mund të gjeni sot në Evropë. Faleminderit.

_– Mirë, kjo është të paktën një ambicie mjaft e bukur._

Kryeministri Edi Rama: Nuk është ambicie, është fakt. Është fakt.

Emigrimi i të rinjve

_– Mirë. Ju e dini natyrisht më mirë se unë. Ka një prirje në rritje mes të rinjve për të emigruar. A do të fashitet?_

Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj se është prirje në rritje. Do të thoja që është pjesë e këtij rrugëtimi, shkon paralelisht me të. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi rritet, eksportet rriten, por në të njëjtën kohë rriten edhe ambiciet dhe pritshmëritë e njerëzve. Ajo me të cilën përballemi është ajo që Tocqueville do ta quante evolucion të pritshmërive më të larta, sepse nuk jemi më vendi i 10 viteve më parë. Jemi një vend krejt ndryshe, dhe këtë mund ta shihni edhe nga lajmet në shtypin francez. 10 vjet më parë do të shfaqeshim në shtypin francez shumë rrallë, për arsye shumë negative, ndërkohë që sot jemi shumë shpesh të pranishëm në shtypin francez për arsye shumë të mira, si për shembull plazhet, mikpritja, malet e mrekullueshme, apo si një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar. Është një vend tjetër.

Premtimet për të rinjtë dhe kërkesat ndaj Evropës

_– Çfarë mund t’u premtoni të rinjve lidhur me afatet e anëtarësimit dhe çfarë i kërkoni Evropës?_

Kryeministri Edi Rama: Ju e dini më mirë, duke qenë se merreni me Evropën prej një kohe të gjatë, dhe siç më thoskit më parë, keni shoqëruar legjendën e Evropës, Jacques Delors. Kështu që e dini shumë më mirë se askush që nuk premton dot asgjë lidhur me Evropën, sepse nuk dihet. Për më tepër, unë nuk premtoj dot për gjëra që nuk varen nga unë. Por ajo që është shumë e qartë, bazuar edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, është se Komisioni ka shprehur që viti tjetër do të jetë viti kur duhet të nisim të punojmë me traktatin e anëtarësimit, çka nënkupton se jemi në fazën e fundit të negociatave. Nëse gjithçka shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm dhe do të jemi gati të hedhim hapin e fundit. Sigurisht që kjo do të varet edhe nga ajo se si do të jetë Bashkimi Evropian pas dy-tre vjetësh, si do të jetë Franca? Keni zgjedhje vitin e ardhshëm, me aq sa e kuptoj. Askush nuk e di çfarë lloj Francë do të dalë nga ato zgjedhje. Kështu është. Megjithatë ajo që dimë është se duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të përfundojmë atë që po bëjmë.

Kapitulli i demokracisë

_– Pra duke ju kthyer përfundimit të punës: kapitulli i demokracisë është një kapitull i qartë? Çfarë mendoni se është arritur në këtë drejtim?_

Kryeministri Edi Rama: Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Që nga vetë përkufizimi i saj, nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet kujdesur dhe përsosur. Kështu që kemi shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Por nuk mendoj se Franca, për shembull, e ka përfunduar këtë punë, dhe Franca duhet të bëjë gjëra në këtë drejtim. Çdo vend duhet të bëjë gjëra në këtë drejtim. Është një punë që nuk mbaron kurrë.

Pyetjet e publikut

_– Tani kemi kohë për pyetje. Ju lutem mos hezitoni._

_– Faleminderit shumë, zoti Kryeministër. Kam një pyetje për Inteligjencën Artificiale. Vendi po i afrohet më shumë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por dua të flas për inteligjencën artificiale, sepse të gjithë flasin për të këtu brenda dhe jashtë këtij forumi. Si mendoni, mund ta ndikojë rregullimi i inteligjencës artificiale anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse mund të ndikojë teknologjinë dhe negociatat?_

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, deri tani e kemi ndarë punën. Nuk është Shqipëria ajo që rregullon; rregullat i bën Bashkimi Evropian, me rregullore. Kështu që nuk na takon neve të merremi me këto rregullore. Na takon të zhvillojmë atë që mundemi për sa i takon inteligjencës artificiale. Siç mund ta dini, kemi ministren e parë të inteligjencës artificiale dhe jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet dita me ditë. E transformuam procesin e vjetër të transpozimit të acquis-it, pra të legjislacionit evropian, përmes inteligjencës artificiale. Një sasi pune që për të tjerët para nesh ka dashur shumë vite. Kroacia ishte një shembull i shkëlqyer: iu desh ende shtatë vjet për ta bërë këtë transpozim, duke mobilizuar një ushtri të tërë përkthyesish, hartuesish dhe juristësh. Ne po e bëjmë më në fund me shumë shpejtësi. Po punojmë gjithashtu për diçka që shpresoj shumë do të ketë sukses: një proces prokurimesh publike, plotësisht i kryer me inteligjencë artificiale, që do të jetë një ndryshim tërësor loje, jo vetëm për ne, por për të gjithë të tjerët, sepse do të ndihmojë me shumë nga problemet që lidhen me prokurimin publik.

Kështu që inteligjenca artificiale është bekim për vende si i yni, ashtu si edhe teknologjitë e reja, për vende si i yni që vijnë nga shumë pas, dhe për të cilat teknologji të tilla i ndihmojnë të bëjnë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënim dot.

95% të shërbimeve tona publike i kemi në internet, dhe tashmë kemi krijuar atë që është pasqyra digjitale, që do t’u shërbejë gjithë qytetarëve dhe që transformon marrëdhëniet midis qytetarëve dhe institucioneve, ashtu si dikush që përdor DHL-në. Pra, kushdo i kërkon shtetit diçka dhe është si një paketë e DHL-së, që e kontrollon në çdo pikë, nëse po trajtohet, nëse po merret dikush me të, e kështu me radhë. Kjo natyrisht ndihmon edhe me përgjegjësinë për nëpunësit publikë. Për ne është bekim. Për Gjermaninë nuk ishte, sepse, siç shihni, Gjermania ka vështirësi të përshtatet me këtë epokë të re digjitale, duke qenë se kanë pasur “makinerinë” më të jashtëzakonshme burokratike që punonte gjatë gjithë kohës. Tashmë, të kthesh një anije të madhe për ta çuar diku tjetër është shumë më e vështirë sesa ta kthesh “motoskafin” tonë, që mund të kthehet shumë më shpejt.

Liria dhe projekti evropian

_– Përmendët më parë që Shqipëria ka aspiratën për t’u bërë pjesë e projektit të Evropës. Megjithatë, një nga profesoreshat tuaja shqiptare, Lea Ypi, thotë: “liria është si e përkufizojmë lirinë”. Çfarë është liria? Pra, si e përkufizoni ju lirinë në kuadër të projektit evropian?_

Kryeministri Edi Rama: Si e përkufizoj unë lirinë? Nuk e kuptova pyetjen, por do të përpiqem t’ju përgjigjem. Unë e përkufizoj lirinë si mundësinë për të ardhur këtu dhe për t’ju folur juve për diçka. Kur isha në moshën tuaj, nuk e di çfarë moshe keni, pikërisht në moshën tuaj 26-vjeçare, më duhej të luftoja që të kisha mundësi të kaloja kufirin e Shqipërisë për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë: të jem aty ku dua, të flas me kë dua, të them atë që mendoj sa më shumë të mundem, edhe pse në pozicionin që mbaj nuk mund të them gjithçka dua.

Bektashinjtë dhe Ballkani Perëndimor

_– Së pari do doja t’ju falenderoja, Kryeministër, sepse kam vizituar vendin tuaj disa muaj më parë dhe dua t’ju them që shqiptarët janë shumë mikpritës dhe bie dakord me ju që ofrohen nga ofertat më të mira. Herën e fundit që vizitova qendrën bektashiane, dua të flas për pjesën e shtetit bektashian në Tiranë. Mendoni që është diçka që Shqipëria do të vazhdojë ta bëjë edhe pas anëtarësimit në BE?_

Kryeministri Edi Rama: Po, po punojmë për këtë, dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë.

_– Në kontekstin e Forumit të Paqes të Parisit të këtij viti, si mund të kontribuojë Shqipëria për të nxitur bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për ta transformuar atë në një paqe afatgjatë, sidomos duke marrë parasysh tensionet midis Serbisë dhe Kosovës?_

Kryeministri Edi Rama: Për këtë mund të them me krenari që Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës, dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes dhe bashkëpunimit me të gjithë në rajon. Ka disa gjëra që mund t’i zgjedhësh lirisht, por ka të tjera që nuk mund t’i zgjedhësh. Ajo që është më e vështirë: nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Janë çështje fati. Fqinjët janë aty ku janë dhe do të jenë gjithmonë aty; nuk do të shkojnë askund. Kështu që më mirë të përpiqesh të shkosh mirë me fqinjin, sepse përndryshe gjen belaja. Gjyshja ime thoshte: fqinji i lumtur bën një shtëpi të lumtur; e kundërta është shumë sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur, me një farë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes së Serbisë dhe Kosovës, mbetet një pikëpyetje, sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë. Ndërkohë, Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, dhe nuk ka më kthim pas; nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha