Kryeministri Edi Rama është pyetur në Paris, gjatë pjesëmarrjes në “Forumin e Paqes”, për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Paqja dhe fqinjësia në Ballkan
Gjatë bashkëbisedimit “E ardhmja e përbashkët e Europës: Zgjerimi dhe brezi i ri”, i kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe së ardhmes së brezit të ri, Rama tha se Shqipëria është përpjekur të nxisë paqen dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira me fqinjët.
Raportet Kosovë–Serbi
Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se Kosova është një shtet i pavarur, i njohur nga shumë vende, dhe se nuk ka më kthim pas në këtë drejtim. Sipas tij, sa më shpejt që Serbia ta kuptojë dhe ta pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për të.
“Jemi përpjekur për nxitjen e paqes me të gjithë në rajon dhe kemi qenë vend paqedashës. Ka disa gjëra që mund t’i zgjedhësh lirisht, por nuk mund t’i zgjedhësh kushërinjtë dhe fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë dhe nuk ikin askund. Përpiqesh të shkosh mirë me fqinjët, sepse ndryshe gjen belanë. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka dhe në njëfarë shkalle kemi pasur sukses. Sa i takon çështjes Serbi-Kosovë, mbetet një pikëpyetje, sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë. Ndërkohë, Kosova është shtet i pavarur, shtet që njihet nga shumë vende dhe nuk ka më kthim pas, në asnjë mënyrë, për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Kështu siç e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt serbët ta kuptojnë dhe ta shohin këtë si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta, që të mos përndiqen më nga kjo fantazmë që nuk po i lejon të normalizohen plotësisht sa u takon marrëdhënieve në rajon”, tha Rama.
Burimi: euronews.al










