Muzikanti i njohur Nick Cave ka rikthyer në vëmendje debatin mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në art dhe në shoqëri, duke pranuar se nuk arrin të parashikojë nëse kjo teknologji do të sjellë përparim apo pasoja shkatërruese për njerëzimin.
Përmes buletinit të tij personal, The Red Hand Files, artisti iu përgjigj një pyetjeje të një fansi nga Bristol, i cili dëshironte të dinte nëse ai e sheh zhvillimin e IA-së me optimizëm apo pesimizëm.
Përgjigjja e Cave ishte e shkurtër, por domethënëse: “Inteligjenca artificiale mund ta shpëtojë botën, ta asgjësojë atë ose të bëjë diçka ndërmjet këtyre të dyjave. Nuk e di.”
Qëndrimi i tij për muzikën e krijuar nga IA-ja
Megjithatë, kur bëhet fjalë për përdorimin e kësaj teknologjie në krijimtarinë muzikore, qëndrimi i tij është shumë më i prerë. Këngëtari nuk e fshehu shqetësimin për platformat që prodhojnë muzikë përmes IA-së, duke i konsideruar ato një kërcënim për vetë thelbin e krijimit artistik.
Sipas tij, këto mjete rrezikojnë të zhvlerësojnë përpjekjen, përvojën dhe emocionet njerëzore që qëndrojnë pas një vepre artistike.
“Platformat për gjenerimin e këngëve janë, sipas meje, tregues të potencialit djallëzor të kësaj teknologjie, që në fillesat e saj, për ta zbrazur nga brenda përpjekjen njerëzore dhe për ta këputur lidhjen tonë me hyjnoren”, u shpreh ai.
Cave argumentoi se muzika e krijuar nga algoritmet e zhvendos vëmendjen nga procesi krijues te produkti përfundimtar, duke e lënë artistin jashtë këtij procesi.
Ndarja e veprës nga autori
Ai u ndal gjithashtu te një tjetër çështje që lidhet me këtë debat: mundësia e ndarjes së veprës artistike nga personi që e krijon atë.
Duke reflektuar mbi këtë ide, muzikanti pranoi se zhvillimi i platformave të IA-së e ka bërë të rishikojë bindjen e tij të mëparshme se arti dhe artisti nuk mund të shkëputen nga njëri-tjetri.
Sipas tij, teknologjia po krijon mundësinë që krijimi të ekzistojë pa praninë e autorit, duke e kthyer këtë të fundit në një element të panevojshëm.
“Artisti mund të ndahet nga arti. Jo vetëm kaq, artisti – ai problem me të meta, i rrëmujshëm, i thyer, i mjerë, i gëzueshëm – mund të hiqet krejtësisht nga ekuacioni, diçka si një mbetje”, shkroi ai.
Me ironi, Cave shtoi se kjo mund të jetë një lajm i mirë për ata që dëshirojnë një botë pa artistë që mund të jenë të papërshtatshëm apo problematikë, pasi platformat e reja premtojnë pikërisht eliminimin e nevojës për krijues njerëzorë.
Muzika e tij në trajnimin e modeleve
Shqetësimet e tij vijnë në një kohë kur është bërë e ditur se muzika e Nick Cave dhe e ish-bashkëpunëtores së tij, Kylie Minogue, është përdorur për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale pa autorizimin e tyre.
Nuk është hera e parë që artisti shprehet kundër këtij zhvillimi. Që në vitin 2024, ai e kishte cilësuar përdorimin e IA-së në muzikë si jashtëzakonisht shqetësues, duke theksuar se problemi nuk lidhet me mundësinë që teknologjia t’ia zërë vendin, por me atë që ky zhvillim tregon për vetë njerëzimin.
Komunikimi me admiruesit dhe turneu i ri
Ndërkohë, përmes The Red Hand Files, Cave ka krijuar ndër vite një komunikim të veçantë me admiruesit e tij, duke ndarë mendime dhe reflektime mbi artin, jetën dhe shoqërinë. Së fundmi, ai ka njoftuar edhe një turne me 25 data në Amerikën e Veriut, me titull “Conversations with Nick Cave”, që do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm.
Burimi: bordo.al









