TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, zhvilloi sot një vizitë në pallatin ku ndodhi shpërthimi i gazit që i mori jetën dy personave, ndërsa godina pësoi shumë dëmtime.
Në fokus të vizitës ishte situata e krijuar pas ngjarjes, vlerësimi i dëmeve në godinë dhe masat që do të ndërmerren për zgjidhjen e problematikës.
Bonusi i qirasë për familjet e prekura
Gjatë fjalës së tij, kryetari i bashkisë së Elbasanit, bëri të ditur se familjet që mbetën pa shtëpi do të përfitojnë bonus qiraje për një vit, me mundësi zgjatjeje deri në rikthimin e tyre në banesa. Sipas tij, vendimi u miratua këtë të martë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, me procedurë të përshpejtuar, pas përfundimit të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit.
“Eshtë miratuar bonusi i qirasë. Sot u është kërkuar të gjitha familjeve të prekura që të paraqesin dokumentacionin përkatës. Kemi marrë nga Kadastra raportin paraprak. Janë shtëpi të vjetra të ndërtuara para ’90. Po merremi me të gjitha rastet. Tani është çështje administrative. Bonusi i qirasë është bërë në bazë të vlerës së banesës. Nuk është bonus social” tha ai.
Pritja e raportit përfundimtar
Nga ana tjetër ministri Demo, bëri të ditur se institucionet janë në pritje të raportit përfundimtar të Institutit të Ndërtimit, i cili do të përcaktojë nëse godina ka nevojë për ndërhyrje të pjesshme apo në të gjithë strukturën.
“Pasi të dalë raporti përfundimtar i Institutit të Ndërtimit. Aty do kuptohet nëse do ketë ndërhyrje pjesore, mbase duhet trajtuar e gjithë godina. Domethënë, ne jemi në pritje të raportit përfundimtar dhe pas raportit përfundimtar, patjetër, siç e përmenda edhe më parë, alternativat që do marrim në konsideratë do të bazohen mbi rezultatet e raportit. Por ne jemi këtu për të garantuar që, cili do të jetë rezultati i raportit”, tha Demo.
I pyetur nëse kishte një ide paraprake për përfundimet e ekspertëve, ministri theksoi se vendimmarrja do të bëhet vetëm pasi të dalë raporti teknik.
Zgjidhja afatgjatë për banorët
Ai garantoi se institucionet do të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për banorët e prekur nga ngjarja.
“Atëherë, inxhinierë të cilët do të vlerësojnë strukturën e godinës, do të vlerësojnë ndërhyrjet e mundshme që mund të ndodhin në godinë dhe, në bazë të këtij informacioni, më pas ne do të shohim alternativat që kemi për t’i dhënë zgjidhje problematikës. Ne jemi këtu sot për të treguar vullnetin e qartë të të gjitha institucioneve që kjo do të marrë një zgjidhje. Dhe kësaj problematike ne do ta ndjekim në vazhdimësi për të gjetur zgjidhjen afatgjatë. Bashkia është këtu për të dhënë ndihmën dhe për të dhënë mbështetjen e parë për të kaluar, po e quajmë këtë periudhë tranzitore, por patjetër që kjo do të kërkojë një zgjidhje më afatgjatë dhe, normal, që këtu do të kërkohet edhe ndërhyrja e disa institucioneve dhe bashkëpunimi i disa institucioneve”, tha ministri Demo.
Sipas tij, kjo është dhe arsyeja e vizitës së sotme.
“E para, për të trajtuar situatën me të gjithë institucionet lokale për sa i përket menaxhimit të situatës, për të nxjerrë analizat e duhura që duhen që duhen bërë, por në të njëjtën kohë për të trajtuar edhe atë çfarë ne duhet të bëjmë në vazhdim për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike. Kështu që do jemi këtu sot”, tha ai.
Mjetet zjarrfikëse dhe emergjencat civile
Gjatë komunikimit me gazetarët, Demo u pyet edhe për përdorimin e mjeteve me ujë me presion për shpërndarjen e turmave gjatë protestave dhe nëse investimet duhet të orientohen më shumë drejt mjeteve zjarrfikëse.
Në përgjigje, ai nënvizoi se zjarrfikësit nuk angazhohen vetëm në shuarjen e zjarreve, por edhe në përballimin e emergjencave civile.
Ministri theksoi gjithashtu se bashkitë në vend po përforcojnë vit pas viti logjistikën dhe kapacitetet për përballimin e situatave emergjente.
“Të gjitha bashkitë në vend tashmë vit pas viti po i përforcojnë mjetet e tyre, logjistikën e duhur për sa i përket përballimit të emergjencave, sepse zjarrfikësit nuk janë vetëm për zjarret, janë për emergjencat. Dhe kjo është një emergjencë civile, nuk është thjesht zjarr, por siç e përmendi kryetari, ishte shumë komplekse. Ka dhe elementë teknikë për sa i përket mënyrës se si zjarrfikësit operojnë, kur vjen uji, nga vjen uji, si vjen presioni, kur vihet pompa”, tha ai.
/m.q/j.p/
Burimi: ata.gov.al










