Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Kompania e rekomanduar për tender në Suharekë ka certifikata të suspenduara

Kompania e rekomanduar për tender në Suharekë ka certifikata të suspenduara
Foto: reporteri.al

Dyshime mbi vlefshmërinë e certifikatave ISO dhe autenticitetin e dokumenteve të kompanisë së rekomanduar për tenderin 490 mijë eurosh në Suharekë

Gazeta Insajderi

Dyshime për vlefshmërinë e certifikatave ISO dhe autenticitetin e dokumenteve të paraqitura nga kompania e rekomanduar për kontratë janë ngritur në tenderin prej 490 mijë eurosh për instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në disa fshatra të Suharekës. Kompania certifikuese RIGCERT ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se certifikimi i kompanisë “LCE SH.P.K.” ishte suspenduar më 1 tetor 2026 dhe u riaktivizua më 23 tetor, pas përfundimit të auditimit vjetor të mbikëqyrjes. Megjithatë, kompania u rekomandua për kontratë më 16 tetor 2026, në periudhën kur certifikimi ishte ende i pezulluar.

Komuna e Suharekës ka hapur tenderin me vlerë të parashikuar prej 490 mijë eurosh për “Instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në fshatrat Savrov, Doberdelan, Bukosh, Sopijë, Vraniq, Budakov, Mushtisht, Grejqec, Leshan, Tërnje dhe Komunë”. Për këtë aktivitet prokurimi, Komuna e rekomandoi për kontratë, më 16 tetor 2026, kompaninë “LCE” SH.P.K.

Ndaj kësaj procedure janë parashtruar disa kërkesa për rishqyrtim, të cilat Komuna i refuzoi.

Pretendimet e operatorëve ekonomikë

Një operator ekonomik kundërshtoi disa kritere të dosjes së tenderit, duke i konsideruar ato diskriminuese, joproporcionale dhe kufizuese për konkurrencën. Ndër pretendimet e tij ishin hapësira e kërkuar për depozitimin dhe parkimin e pajisjeve, përvoja profesionale e inxhinieres së elektros, kualifikimet e dy teknikëve të elektroteknikës, dokumentacioni për dhjetë punëtorë, certifikatat ISO të kompanisë LCE SH.P.K., si dhe dallimet në çmimet për njësi të paraqitura në ofertë.

Komuna i refuzoi këto pretendime, duke arsyetuar se dokumentacioni i kompanisë së rekomanduar i plotëson kërkesat e dosjes. Për certifikatat ISO, Komuna tha se verifikimi përmes kodeve QR në regjistrin e RIGCERT-it tregoi statusin “Valid”.

Ankesa në OSHP dhe kronologjia e certifikimit

Një tjetër operator ekonomik e çoi çështjen në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kundërshtuar vendimin e Komunës. Në ankesën e dorëzuar më 4 nëntor 2026, operatori pretendon se kompania e rekomanduar nuk i plotëson disa nga kriteret e dosjes dhe se Komuna nuk i shqyrtoi siç duhet dëshmitë e paraqitura.

Çështja kryesore lidhet me vlefshmërinë e certifikatave ISO të LCE SH.P.K. Sipas ankuesit, në verifikimin e 21 tetorit 2026 në sistemin e RIGCERT-it, certifikatat figuronin me statusin “Suspended”, dhe më 22 tetor ai kishte konfirmim se ishin të pezulluara që nga gushti 2026.

RIGCERT, në përgjigjen për Insajderin, dha një kronologji tjetër. Sipas këtij trupi certifikues, certifikimi i LCE SH.P.K. ishte lëshuar më 26 gusht 2024, ndërsa vlefshmëria e tij varej nga realizimi i auditimeve vjetore të mbikëqyrjes. Kompania nuk e kreu me kohë auditimin e planifikuar vjetor, prandaj certifikimi u pezullua më 1 tetor 2026. Auditimi u planifikua dhe u përfundua më 22 tetor, dhe vlefshmëria u rikthye më 23 tetor.

Tenderi u dha më 10 dhjetor.

Pretendimi për certifikatën e ndryshuar të prodhuesit turk

Ankesa përmban edhe një pretendim më serioz. Ankuesi thotë se kompania fituese ka paraqitur një certifikatë të ndryshuar të prodhuesit turk IRPA AYDINLATMA GIDA, ku është shtuar emri “ARTAY LIGHTING”, i cili, sipas tij, nuk është prodhues, por një zyrë përmes së cilës është siguruar autorizimi.

Për të verifikuar autenticitetin, ankuesi thotë se ka kontaktuar drejtpërdrejt prodhuesin turk, i cili, sipas tij, konfirmoi se certifikata e paraqitur në tender ishte ndryshuar dhe nuk përputhej me dokumentin origjinal. Si dëshmi, ankuesi ka dorëzuar në OSHP certifikatën origjinale, dokumentin e paraqitur nga kompania fituese, komunikimin me prodhuesin dhe krahasimet mes dy dokumenteve.

Ankuesi thotë se Komuna nuk i trajtoi këto pretendime dhe prova në mënyrë të mirëfilltë gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishqyrtim, dhe se autoriteti kontraktues nuk kërkoi sqarime dhe nuk dha vlerësim për dëshmitë lidhur me autenticitetin e certifikatës.

“Këto prova kërkojnë verifikim zyrtar dhe të paanshëm nga Autoriteti Kontraktues, përpara se të vazhdohet me lidhjen e kontratës. Në përgjigjen e AK-së ndaj kërkesës për rishqyrtim nuk kemi pranuar asnjë sqarim apo vlerësim të këtyre provave, andaj me të drejtë shqetësohemi që komisioni për vlerësim të tenderëve ka vepruar në mënyrë të njëanshme duke favorizuar një OE që nuk është i përgjegjshëm”, thuhet në ankesë.

Për këtë arsye, kompania ka kërkuar nga OSHP-ja të shqyrtojë provat, të anulojë vendimin e Komunës dhe ta kthejë lëndën për rivlerësim.

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga kompania e rekomanduar për kontratë dhe nga Komuna e Suharekës lidhur me pretendimet e ngritura në ankesë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha