Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

SHBA zhvendos avionët ushtarakë nga BM-ja pas kërcënimeve iraniane

SHBA zhvendos avionët ushtarakë nga BM-ja pas kërcënimeve iraniane
Foto: ata.gov.al

WASHINGTON, 10 nëntor /ATSH-AFP/- Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionë ushtarakë nga baza ajrore britanike „RAF Mildenhall“, në lindje të Anglisë, pas një kërcënimi që dyshohet se ka ardhur nga Irani, raportoi sot gazeta „The Wall Street Journal“.

Avionët dhe destinacionet e tyre

Sipas gazetës, dy avionë amerikanë furnizues me karburant, të stacionuar në bazën „RAF Mildenhall“, u ridrejtuan dje drejt Gjermanisë. Më vonë gjatë ditës, edhe disa avionë të tjerë furnizues me karburant, të pranishëm në këtë bazë, u transferuan drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.

Ndërkohë, sipas televizionit britanik „Sky News“, nëntë avionë furnizues me karburant dhe tre mjete ajrore të tipit „Osprey“ u ngritën nga baza „Mildenhall“, në rajonin e Suffolkut, dje në mbrëmje. Shumica e tyre u dërguan në baza ushtarake në Gjermani dhe Spanjë.

Qëndrimi i autoriteteve

„Natyra e saktë e kërcënimit po diskutohet mes autoriteteve amerikane“, shkruan „The Wall Street Journal“, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Qeveria britanike nuk konfirmoi tërheqjen e avionëve amerikanë nga Mildenhall.

“Ne zakonisht nuk komentojmë aktivitetet e vendeve të tjera. Avionët (…) zhvendosen rregullisht në varësi të nevojave operacionale”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes.

“Unë nuk mund të komentoj operacione të tilla që janë në zhvillim, por ne rivlerësojmë vazhdimisht sigurinë e bazave tona”, deklaroi gjithashtu për Sky News ministrja britanike e Arsimit, Lucy Powell, e cila përfaqësonte qeverinë në intervistat televizive dhe radiofonike të së martës në mëngjes.

Tërheqja e mëparshme dhe incidenti

Një muaj më parë, Uashingtoni kishte tërhequr gjithashtu bombarduesit e vendosur në një tjetër bazë britanike, „RAF Fairford“, në jugperëndim të Anglisë. Presidenti amerikan Donald Trump e kishte shpjeguar atëherë këtë tërheqje me ekzistencën e disa “kërcënimeve”, duke pretenduar se ato vinin nga persona “të lidhur me Iranin”.

Largimi i bombarduesve ndodhi pas një incidenti pranë bazës, i cili çoi në ngritjen e akuzave ndaj dy shtetasve britanikë në fund të tetorit për cenim të sigurisë kombëtare. Njëri prej tyre akuzohet se ka ndihmuar një shërbim të huaj zbulimi, ndërsa policia dyshon se bëhet fjalë për Iranin. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha