Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

IPK rekomandon pezullimin e shefit të tenderëve në Polici për konflikt interesi

IPK rekomandon pezullimin e shefit të tenderëve në Polici për konflikt interesi
Foto: reporteri.al

Më 11 dhjetor 2023, në orën 15:03, Gazeta Insajderi publikoi raportimin ekskluziv që zbulonte se si dhëndri i shefit të Prokurimit në Policinë e Kosovës kishte përfituar një tender mbi 1 milion euro nga po ky institucion. Përfitues i kontratës ishte biznesmeni Ideal Shala, ndërsa personi që e shpalli tenderin dhe nënshkroi dokumentet për kompaninë fituese ishte Artan Fejza.

Për këtë të fundit, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin e Fejzës nga pozita e drejtorit të Prokurimit. IPK njoftoi se ai po hetohet nga Prokuroria Speciale për konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke bërë me dije se aktualisht nuk mund të jepen më shumë detaje.

Kronologjia e kontratës

Edhe pse zyrtarisht ende nuk janë bërë të ditura rastet specifike për të cilat po hetohet Fejza, më poshtë mund të ndiqni kronologjinë se si dhëndri i tij u shpërblye me kontratën prej 1.2 milionë eurosh.

Më 20 shtator të vitit 2023, Policia e Kosovës pati shpallur thirrjen publike për blerjen e autobusëve për nevojat e institucionit, me një vlerë të parashikuar deri në 1.2 milionë euro. Tenderi u shpall nga vetë Artan Fejza, si udhëheqës i Departamentit të Prokurimit.

Dy muaj më vonë, i njëjti departament nxori një vlerësim me anë të të cilit eliminoi tri nga katër kompanitë në garë. E vetmja që mbeti në garë ishte firma e Ideal Shalës, burrit të motrës së Fejzës, i cili është gjithashtu përfaqësues i kompanisë prodhuese të veturave “KIA”.

Pavarësisht se njëra nga kompanitë e eliminuara kishte ofertuar për dhjetëra mijëra euro më lirë, Prokurimi i Policisë e shpalli fitues vetëm biznesmenin Shala.

“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar të tenderit tuaj prej 1,188,850.00 eurosh”, thuhej në dokumentin e datës 22 nëntor, ku figuronte emri i Artan Fejzës.

Sqarimi i Policisë

Cili ishte sqarimi i Policisë?

“Lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Furnizim me autobusë për policinë e Kosovës’, drejtori i prokurimit me anë të një shkrese ka njoftuar drejtorin e Departamenti të Shërbimeve Mbështetëse, se ai (drejtori i prokurimit), kërkon të lirohet nga procesi/vendim-marrja në këtë aktivitet të prokurimit pasi ka konflikt interesi”, thuhej në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë.

Ani pse ai ka dërguar këtë letër, sipas tyre, emri i tij shfaqet prapë më 22 nëntor 2023 në dokumentin ku tenderues i suksesshëm doli të jetë vetëm dhëndëri i tij, Ideal Shala.

“Drejtori i Departamenti të Shërbimeve Mbështetëse ka caktuar një zyrtar tjetër të prokurimit që të udhëheq vendim-marrjen në këtë aktivitet dhe i gjithë komunikimi në lidhje me ndonjë paqartësi me komisionin e vlerësimit është konsultuar me zyrtarin e caktuar për këtë tender”, thuhej në përgjigjen e Policisë për Gazetën Insajderi.

Sipas tyre, “drejtori i prokurimit nuk është vendim-marrës si zyrtar përgjegjës i prokurimit në këtë proces”.

Tenderë të tjerë

Nga hulumtimet në platformën e e-Prokurimit del se kompania e dhëndrit të Fejzës ka marrë dhjetëra tenderë të tjerë nga Policia e Kosovës.

I njëjti biznesmen ka marrë tendere edhe nga Zyra e Kryeministrit, KEK, Telekomi i Kosovës dhe institucione të tjera publike në vend.

Policia ia bën gati mbi 1 milion euro dhëndrit të shefit të tenderëve

Fondi i Dallavereve – rrëfimi ekskluziv i sinjalizuesit Alban Pozhegu

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha