ROMË, 5 nëntor /ATSH/ – Diagnostikimi i kataraktës, një prej shkaqeve kryesore të verbërisë në botë, mund të bëhet edhe përmes një telefoni inteligjent, sipas focus.it.
Një teknologji e re, e zhvilluar nga studiuesit e spitalit të syve Aravind në Madurai të Indisë, në bashkëpunim me Universitetin Johns Hopkins në SHBA, mundëson fotografimin e syrit dhe vlerësimin e tij nga specialistët në distancë.
Pajisja e re, e cila vendoset në një telefon inteligjent, mund të sigurojë imazhe me informacion pothuajse të krahasueshëm me atë që përftohet gjatë një vizite fizike te mjeku okulist.
Rezultatet e studimit u prezantuan në Kongresin e 44-t të Shoqatës Evropiane të Kirurgëve të Kataraktës dhe Refraksionit (ESCRS).
Sipas studiuesve, kjo teknologji mund të lehtësojë kontrollet për zbulimin e hershëm të kataraktës dhe sëmundjeve të tjera të syrit, veçanërisht te personat që jetojnë në zona të largëta ose kanë vështirësi për të shkuar te specialisti për shkak të moshës apo problemeve shëndetësore.
Si funksionon teknologjia e re
Sistemi përbëhet nga një pajisje portative që lidhet me telefonat inteligjentë Android.
Ajo përmban një lente zmadhuese për pjesën e përparme të syrit, dy drita të vogla LED që furnizohen me energji nga telefoni dhe një mbështetëse silikoni që vendoset lehtë rreth orbitës së syrit.
Pajisja ndihmon në kufizimin e dritës së jashtme dhe ruajtjen e një distance të qëndrueshme gjatë fotografimit.
E prodhuar në Indi, ajo kushton më pak se 150 paund, përfshirë edhe telefonin, ndërsa shoqërohet me një aplikacion telemjekësor që mund të funksionojë edhe në zona me lidhje të dobët interneti.
Testimi te mbi 1 mijë pacientë
Për të vlerësuar efikasitetin e pajisjes, studiuesit trajnuan punonjës shëndetësorë me një kurs vetëm treorësh. Pas trajnimit, ata arritën të kryenin ekzaminimin e syve në më pak se dy minuta e gjysmë.
Në studim u përfshinë 1 093 pacientë në 19 klinika të përkohshme okulistike në pesë qytete të rajonit Tamil Nadu. Imazhet e marra u dërguan te okulistët, të cilët kryen vlerësimet në distancë. Diagnostikimet e tyre u krahasuan më pas me rezultatet e ekzaminimeve të kryera nga mjekët drejtpërdrejt te pacientët.
Sipas autorit të studimit, Prabhu Krishna Ravilla, kjo teknologji do të shmangte nevojën për praninë fizike të një specialisti në çdo kontroll depistues.
Studiuesit vlerësojnë se përdorimi i pajisjeve të tilla mund të zgjerojë aksesin në shërbimet okulistike, duke mundësuar identifikimin në kohë të problemeve të shikimit dhe parandalimin e humbjes së shikimit te pacientët që kanë vështirësi në marrjen e kujdesit shëndetësor. /os/
Burimi: ata.gov.al









