Liqeni i Pogradecit është bërë vitet e fundit një stacion i përkohshëm për flamingot gjatë migrimit të tyre sezonal. Këta shpendë arrijnë kryesisht gjatë vjeshtës dhe pranverës, duke e përdorur liqenin si pikë pushimi gjatë udhëtimit drejt habitateve të tjera.
Qëndrimi i flamingove në Pogradec
“Flamingot vijnë kryesisht nga jugu i Evropës dhe Turqia, ku ndodhen koloni të mëdha të tyre. Pogradecin e përdorin si vendqëndrim të përkohshëm, ku qëndrojnë nnga disa ditë deri në një ose dy javë, dhe më pas vazhdojnë drejt lagunave të Nartës dhe Divjakë-Karavastasë, ku kalojnë dimrin. Këto grupe janë kryesisht individë të rinj, të cilët e përdorin këtë territor si ndalesë gjatë udhëtimit të gjatë”, thotë Gani Bego, specialist i zonave të mbrojtura.
Një nga faktorët që favorizon qëndrimin e tyre është tërheqja e nivelit të ujit, e cila zbulon pjesën ranore të bregut dhe krijon kushte të përshtatshme për gjetjen e ushqimit.
Ndryshimet e nivelit të ujit dhe klima
“Kjo pjesë e liqenit, nga ish-vila deri në Drilon, në këtë periudhë tërhiqet për shkak të mungesës së reshjeve gjatë verës dhe edhe të hapjes së portave në Strugë. Kjo pjesë ngjan me një lagunë të vogël dhe flamingot gjejnë ushqim, duke u përshtatur mjaft mirë në këtë territor. Prania e tyre mund të lidhet edhe me ndryshimet klimatike të viteve të fundit”, thotë ai.
Përtej veçantisë që i japin peizazhit të liqenit, flamingot janë bërë edhe një atraksion për turistët dhe vizitorët, të cilët ndalojnë përgjatë bregut për t’i fotografuar.
Burimi: euronews.al










