Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën tregon hendekun mes premtimeve të Qeverisë për integrimin evropian dhe rezultateve konkrete.
Kështu u shpreh deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një postim në rrjetin social Facebook.
Përparimi i ngecur
Sipas deputetes së PDK-së, raporti vëren mungesë përparimi në funksionimin e gjyqësorit, kontrollin financiar, mjedisin, bujqësinë dhe transformimin digjital. Rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë janë më të dobëta, ndërsa reformat në shëndetësi kanë ngecur.
Liria e medias
Raporti thekson gjithashtu akuza dhe gjuhë të ashpër ndaj gazetarëve dhe mediave nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë vetë kryeministrin Kurti. Musliu-Shoshi theksoi se liria e medias është standard evropian dhe detyrim demokratik, dhe se pushteti duhet t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, jo t’i diskreditojë ata.
Ajo përfundoi duke thënë se rekomandimet përsëriten, përgjegjësia mungon dhe qytetarët paguajnë çmimin. Sipas saj, Kosova ka vendin e saj në Evropë, por çdo vit i humbur nga kjo qeverisje është një mundësi e humbur për t’u afruar me Bashkimin Evropian.
Burimi: pressonline.al










