Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027 para Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, me një buxhet të përgjithshëm prej 7.65 miliardë lekësh, apo 3.5 për qind më shumë se në vitin 2026.
Lajmin e ka bërë me dije ministri Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka paraqitur ndarjen buxhetore dhe prioritetet për sektorët që mbulon ministria.
Trashëgimia kulturore dhe muzetë
Një nga rritjet më të mëdha i takon trashëgimisë kulturore dhe muzeve, për të cilat janë paraparë 2.08 miliardë lekë, me një rritje prej 80 për qind. Ministri e ka cilësuar këtë shifër si buxhetin më të lartë historik për këtë sektor.
Në këtë kuadër parashikohen investime në 10 objekte prioritare të Rrjetit Kombëtar të Muzeve, shpëtimi i 30 banesave-monument kulture dhe rijetëzimi i kullave tradicionale në katër qarqe të veriut të Shqipërisë.
Arti dhe infrastruktura kulturore
Për artin dhe kulturën janë paraparë 3.37 miliardë lekë, përfshirë 1.5 miliardë lekë investime publike. Një fond prej 495.9 milionë lekësh do t’i dedikohet projekteve artistike të institucioneve dhe skenës së pavarur, që sipas Gonxhjes përfaqëson një rritje prej 21.7 për qind.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu vazhdimin e investimeve në infrastrukturën kulturore. Galeria Kombëtare e Arteve, Qendra e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave janë ndër institucionet që, sipas ministrit, janë drejt përfundimit. Në plan është edhe rijetëzimi i shtatë kinemave publike.
Turizmi dhe digjitalizimi
Në fushën e turizmit dhe digjitalizimit, prioritet mbetet zbatimi i sistemeve eVisitor dhe biletarisë elektronike. Gonxhja ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë zhvilluar 2,107 evente, apo 23.4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Në prezantimin e tij, ministri ka përmendur edhe nëntë reforma ligjore që synojnë modernizimin e sektorëve të turizmit, kulturës dhe sportit.
Projektbuxheti i vitit 2027 synon të rrisë investimet në trashëgiminë kulturore, të mbështesë krijimtarinë artistike dhe të përmirësojë infrastrukturën kulturore e turistike të Shqipërisë./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










