Nuk ka ngjarje elektorale, politike apo edhe traumatike në botë që nuk kthehet në menu apo manual për revolucionin që duan të bëjnë në Tiranë. Menuja është thuajse e njëjtë: e marrim pjatën që vjen nga Argjentina, Brazili, SHBA dhe Franca, madje edhe Nepali, për ta sjellë si lëndë të parë për kuzhinën e revolucionit.
Kur lënda e parë vjen e ngrirë, sepse natyrisht vjen nga larg, atëherë pjata nuk është gjë tjetër veçse një surrogat parafabrikat.
Revolucioni i flamingove
Revolucioni i flamingove ishte një shembull tipik i këtij surrogatizmi revolucionar. Edhe pse pati mobilizim, nuk ishte një revolucion; ishte një skenografi e komunikimit publik, e hartuar nga strategët politikë të demokratëve amerikanë për të fituar zgjedhjet e mesmandatit.
Strategjia përfshinte edhe financime për aktivizimin e disa OJQ-ve, që t’i shërbenin si karburant këtij “revolucioni”. Protestës iu bashkuan gjithashtu pjesa e opozitës larushane anti-Rama dhe të gjithë njerëzit e grupet e pakënaqura me të. Siç thuhet shpesh, u bashkuan edhe persona nga e majta brenda mazhorancës.
Gjithë shikueshmëria që sollën mediat e mëdha liberale amerikane krijoi, si gjithmonë, sigurinë se “gjëja u bë”, revolucioni u bë. Megjithatë, operacioni i komunikimit masiv kishte kohën e vet, dhe më pas u largua, duke lënë vetëm flamingot. Përveç disa mediave të vogla të lidhura me grupe të së majtës radikale në SHBA dhe Evropë.
Përveç këtij cunami mediatik perëndimor, flamingot patën edhe një viralitet nga vendet antiperëndimore dhe autokratike si Irani. Këto vende e paraqitën revolucionin e flamingove si lëvizje antisemite, dhe me fake news paraqitej, e paraqitet akoma nga disa pjesëtarë të tij, si “pushtim i çufove”.
Mungesa e ideologjisë dhe e programit
Asnjëherë elementët e opozitës që ishin aktivë në protesta nuk u distancuan nga këto axhenda që vijnë qartësisht nga Irani dhe Turqia. Nga ana tjetër, revolucioni nuk kishte një ideologji apo program për të parashtruar idetë e veta. Askush nuk u lodh shumë; pritën që Ramën ta rrëzonte Amerika, Gjermania, Turqia e me radhë.
Një vit më parë, Sali Berisha thoshte se Trump do ta merrte me helikopter Edi Ramën nga vila në Surrel, ashtu siç bëri me Maduron në Venezuelë. Kur panë se lëvizja u dobësua, iu drejtuan dhunës së egër që dogji Tiranën, një manual i ngjashëm me djegiet në Paris, Milano, Frankfurt, Barcelonë e të tjera.
Alarmet e bombave dhe modelet e jashtme
Këto ditë kanë nisur që të hidhen alarme bombë në aeroportet e gjithë Evropës, për të destabilizuar lëvizjen, jetën dhe, natyrisht, për të shfokusuar qendrat vendimmarrëse. Tani del edhe Serbia si model, meqë atje ka studentë dhe po sillet si shembull perfekt. Ndërkohë, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, po thuhet se do të hetohen Trump, familja e tij dhe bashkëpunëtorët.
Hetimet dhe logjika e politikës amerikane
Në SHBA, gjithmonë kur një parti ka kontrolluar dy dhomat e Kongresit, presidenti është vënë nën hetim. Ka ndodhur me Bill Clinton në rastin Lewinsky, me Obamën në 2010, dhe me Donald Trumpin gjatë mandatit të Biden, kur demokratët kishin të gjitha pushtetet.
Por në 2028 i humbën të gjitha. Kjo është një logjikë normale e politikës amerikane, ku këto manovra janë strategji marketingu dhe jo operacione reale. Madje, siç ndodhi me Donald Trumpin kur e futën edhe në burg, ai u forcua më shumë.
Zvërneci dhe Sazani
Çështja e investimeve në Zvërnec e Sazan janë investime private, që kanë shtratet e tyre kontraktuale, jo ndërhyrjet e qeverive.
Gjithsesi, gjithë kjo energji e harxhuar në këto konspiracione, ku protagonistë janë disa diletantë të opinionit dhe të përpunimit politik, do të vazhdojë që pjata të bëhet gjithmonë me materiale të importuara nga frigoriferi. Njerëzit duan një pjatë të freskët, të gatuar vetë nga revolucionarët. Por a ulet dikush në kuzhinë për ta bërë?
Burimi: shqiptarja.com










