Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Autori i grabitjes së dyfishtë me mbi 100 mijë euro pranon: lekët i shpenzoi në kazino

Autori i grabitjes së dyfishtë me mbi 100 mijë euro pranon: lekët i shpenzoi në kazino
Foto: tirananews.al

Autori i grabitjes së dy bankave të nivelit të dytë në Tiranë, R. B., 50 vjeç, ka deklaruar përpara togave të zeza se pjesën më të madhe të parave të vjedhura e ka shpenzuar në kazinotë e kryeqytetit, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj. Bëhet fjalë për mbi 100 mijë euro para të grabitura nga dy filialet.

Parat e dhëna shokëve dhe hetimi

Nga 3 mijë euro, 50-vjeçari ia ka dorëzuar dy shokëve të tij në Vlorë. Këta të fundit janë marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe kanë deklaruar se R. B. ua kishte borxh paratë.

Për verifikimin e deklarimeve, policia ka kërkuar informacion nëpër kazinotë e Tiranës nëse 50-vjeçari ishte klient. Pjesë e hetimeve është edhe gjurmimi i parave të grabitura, për të parë nëse persona të tjerë kanë përfituar shuma. Ndaj tij pritet të nisë edhe një hetim pasuror.

Gjetjet në shtëpi dhe në banesën e qiradhënë

Një vlerë e madhe parash u gjet në shtëpinë e 50-vjeçarit në Vlorë, ndërsa vetë ai po fshihej përkohësisht në Tiranë, në një banesë të marrë me qira. Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, që punon po ashtu në një bankë të nivelit të dytë. Për shumën e parave që kishin në banesë, ajo ka treguar se ishin kursime të mbledhura nga shitja e një banese në kryeqytet.

Antecedentet kriminale

R. B. rezulton i skeduar edhe në Greqi për grabitjen e armatosur të 26 bankave dhe të supermarketeve në Atikë. Ai akuzohet si pjesë e një organizate kriminale së bashku me tre bashkëkombës të tjerë. Nga viti 2007 deri në 2010, përfitimet nga grabitjet arritën vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.

50-vjeçari u dërgua në burg, por në vitin 2016 u arratis nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të burgosur të tjerë. Ai qëndroi në arrati rreth dy vite, deri në 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, afër pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.

Grabitjet e fundit në Tiranë

Grabitjen e fundit, 50-vjeçari e kreu më 2 nëntor në zonën e “Komunës së Parisit”, nga ku arriti të merrte 60 mijë euro. Më 2 qershor, ai kishte grabitur një tjetër bankë rreth 300 metra më tutje nga kjo e fundit.

Në të dy rastet, ai ishte i armatosur, i maskuar dhe me skafandër në kokë. Për t’u larguar nga vendngjarja përdori një monopatinë elektrike. 50-vjeçari u arrestua dje në zonën e “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha