Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Emergjencat Civile kërkojnë 5,7 miliardë lekë në buxhetin 2027

Emergjencat Civile kërkojnë 5,7 miliardë lekë në buxhetin 2027
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, nën drejtimin e kryetarit Bledar Çuçi, zhvilloi seanca dëgjimore me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027.

Emergjencat Civile

Në seancën me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile ishte i pranishëm drejtori i përgjithshëm, Haki Çako, i shoqëruar nga stafi mbështetës.

Gjatë diskutimit, Çako bëri të ditur se flotës ajrore shqiptare pritet t’i shtohen tre avionë të rinj për përballimin e zjarreve, dy prej të cilëve parashikohet të mbërrijnë në dhjetor, ndërsa i treti në mars të vitit 2027.

Ai theksoi se gjatë vitit 2026 Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihmë pranë Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për përballimin e zjarreve.

Sipas Çakos, kjo është bërë e mundur falë gatishmërisë së flotës ajrore, e përbërë nga tre helikopterë “Cougar”, dy helikopterë “Black Hawk” dhe dy avionë “Air Tractor”, të cilët kanë mundësuar menaxhimin e zjarreve në kohë reale.

Në cilësinë e relatorit Bujar Rexha bëri të ditur se për vitin 2027, në fazën e dytë të Programit Buxhetor Afatmesëm, kërkesat buxhetore brenda tavaneve për programin “Emergjencat Civile” arrijnë në rreth 5,29 miliardë lekë.

Ndërkohë, tha Rexha, institucionet kanë paraqitur kërkesa shtesë prej rreth 409,9 milionë lekësh, duke e çuar nevojën totale të financimit në rreth 5,7 miliardë lekë.

AKSIK

Më pas, Komisioni vijoi me seancën dëgjimore me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), ku i pranishëm ishte drejtori i përgjithshëm, Ermal Jauri.

Gjatë prezantimit të kërkesave buxhetore, Jauri bëri të ditur se shpenzimet korrente dhe operative janë parashikuar në përputhje me tavanet e miratuara për Programin Buxhetor Afatmesëm 2027-2029.

Jauri tha se për vitin 2027, fondi i parashikuar për paga është 69.077.000 lekë, për kontributet e sigurimeve shoqërore 11.704.000 lekë, ndërsa për mallra dhe shërbime 30.489.000 lekë.

Në cilësinë e relatorit, Bujar Rexha bëri të ditur se institucioni ka paraqitur gjithashtu kërkesa shtesë prej 35 milionë lekësh për investime.

Këto investime lidhen kryesisht me pajisje të specializuara për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe mjete transporti për grupet e inspektimit.

Sipas diskutimeve në komision, këto nevoja marrin rëndësi të veçantë në kuadër të organizimit të Samitit të NATO-s në Shqipëri gjatë vitit 2027, si dhe të kërkesave në rritje për garantimin e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

/k.s/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha