Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, konfirmon se do të vijojë të mbështesë kandidaturën e Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 2027, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Partisë Demokratike, e cila tashmë kërkon që opozita të mbështesë një kandidat politik. I ftuar në Report TV, Lapaj deklaroi se marrëveshja e arritur vitin e kaluar për mbështetjen e kandidatit të pavarur Florian Binaj mbetet në fuqi për lëvizjen që ai drejton.
“Kur u vendos për garën për Tiranën, ramë dakord që të mbështesim kandidatin Florian Binaj. Ne i qëndrojmë akoma. Këta tani ndryshuan mendje. Tani më kërkoni mua llogari që lëvizën këta të tjerët”, u shpreh Lapaj.
Refuzimi i kandidatit të PD-së
Ai përjashtoi mundësinë që “Shqipëria Bëhet” të mbështesë një kandidat të propozuar nga PD-ja, duke sfiduar këtë të fundit që të bashkohet rreth një kandidature të propozuar prej tyre. “Ne nuk pranojmë të votojmë një kandidat të PD-së. Jo. Le të vijë PD të mbështesë një kandidat tonin. Ne propozojmë Dorina Prethin”, deklaroi kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Thirrja për bashkim
Lapaj bëri gjithashtu thirrje për bashkimin e partive të reja dhe qytetarëve që kanë marrë pjesë në protesta, me qëllim ndërtimin e një alternative të përbashkët për zgjedhjet lokale. Sipas tij, bashkëpunimi mund të realizohet përmes kandidaturave të përbashkëta për kryetarë bashkish, ndërsa secila forcë politike mund të ruajë identitetin e saj në garën për këshillat bashkiakë.
“Unë jam dakord që sot, për t’i bashkuar votat. Këto zgjedhje janë për qytetarin, për administrimin e qytetit. Kjo do të thotë se për këshillat bashkiakë secili nga ne garon me listën e vetë, ndërkohë për kryetar bashkie ne mund të dakordësojmë që për filan bashki të mund të garojmë me kandidatë të përbashkët”, tha Lapaj.
Ai nuk përjashtoi as zhvillimin e primareve si mekanizëm për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë këtë bashkim në bashkitë e vendit. Deklaratat për Florian Binajn vijnë në një moment kur qëndrimet e opozitës për garën në Tiranë duket se janë ndarë, ndërsa Lapaj këmbëngul se marrëveshja fillestare duhet respektuar.
Burimi: kohajone.com










