Projektbuxheti 2027 për Ministrinë e Mjedisit ngre pikëpyetje serioze mbi angazhimin real të qeverisë për përmbushjen e standardeve europiane.
Deputetja e Partisë Demokratike, Klodiana Capja, argumentoi se, pavarësisht se Komisioni Europian evidenton progres të kufizuar në Kapitullin 27 dhe kërkon më shumë vëmendje, qeveria parashikon vetëm 3.23 miliardë lekë për Ministrinë e Mjedisit, rreth 0.33% të shpenzimeve të përgjithshme publike.
Mbrojtja e zonave të mbrojtura, menaxhimi i mbetjeve, cilësia e ajrit dhe ujërave, pyjet dhe ndryshimet klimatike kërkojnë, sipas saj, financime konkrete, transparencë dhe rezultate të matshme.
DEKLARATË E PLOTË PËR SHTYP:
Buxheti dhe vlerësimi i Komisionit Europian
Projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Mjedisit, Paketa Fiskale që e shoqëron dhe Raporti i Progresit për Shqipërinë, i publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Europian, ngrejnë një pyetje themelore: a janë fondet dhe politikat e parashikuara për vitin 2027 të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet mjedisore të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian?
Raporti i Komisionit Europian e vlerëson Shqipërinë me një nivel përgatitjeje fillestar në Kapitullin 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Komisioni konstaton se vendi ka njëfarë përgatitjeje, por gjatë periudhës së raportimit ka bërë vetëm progres të kufizuar. Rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe mbeten në fuqi.
Ndërkohë, për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Mjedisit parashikohet në rreth 3.23 miliardë lekë, ose afërsisht 0.33% të shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit të shtetit dhe atij vendor, përfshirë fondet speciale. Ky buxhet, së bashku me financimet e ministrive të tjera, bashkive dhe donatorëve, nuk duket se mbulon nevojat reale për zbatimin e standardeve europiane.
Zonat e mbrojtura
Komisioni Europian ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Raporti i Progresit 2026 konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatja e ligjit për investimet strategjike kanë kontribuar në përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës.
Komisioni përmend shprehimisht zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, ku miratimi i tri lejeve të zhvillimit dhe kryerja e punimeve përgatitore, pa konsultim publik dhe vlerësim të ndikimit në mjedis, vazhdojnë të ngrejnë shqetësime. Raporti evidenton gjithashtu zhvillimet në zonën e mbrojtur Bunë–Velipojë dhe çështjen e aeroportit të Vlorës, për të cilin Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur vlerësim të ndikimit në mjedis.
Këto nuk janë thjesht shqetësime të organizatave mjedisore. Ato janë tashmë pjesë e vlerësimit zyrtar të Komisionit Europian për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit. Qeveria duhet të sqarojë se çfarë financimesh konkrete parashikohen në vitin 2027 për këto detyrime dhe për forcimin e institucioneve përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
Menaxhimi i mbetjeve
Menaxhimi i mbetjeve mbetet një problem i rëndësishëm mjedisor dhe financiar. Për menaxhimin e mbetjeve urbane parashikohen rreth 740 milionë lekë.
Ndërkohë, dokumentacioni buxhetor përfshin kontratën koncesionare të landfillit dhe inceneratorit të Tiranës, me një vlerë kontraktore të listuar prej rreth 17.1 miliardë lekësh. Kjo vlerë është vlera e kontratës dhe jo pagesa vjetore për vitin 2027. Megjithatë, përmasat e saj kërkojnë transparencë të plotë mbi pagesat, detyrimet e mbetura dhe rezultatet e shërbimit.
Raporti i Komisionit Europian konstaton se Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, e krijuar në vitin 2026, vazhdon të ketë kapacitete dhe ekspertizë të kufizuar. Megjithëse Shqipëria ka miratuar legjislacionin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, aktet zbatuese dhe funksionimi efektiv i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve mbeten sfida.
Pyetja është: sa nga fondet e vitit 2027 shkojnë realisht për ndarjen e mbetjeve në burim, riciklimin, trajtimin sipas standardeve europiane dhe forcimin e kapaciteteve institucionale?
Cilësia e ajrit, ujërave dhe pyjeve
Cilësia e ajrit dhe e ujërave kërkon më shumë monitorim dhe investime të matshme. Komisioni Europian njeh krijimin e një strukture të posaçme për cilësinë e ajrit në Ministrinë e Mjedisit dhe instalimin e dy stacioneve të reja automatike të monitorimit. Megjithatë, ai kërkon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve teknike dhe administrative për monitorimin e ndotjes. Për cilësinë e ujërave, raporti evidenton se programi kombëtar i monitorimit mbetet i kufizuar në shtrirje dhe mbulim gjeografik.
Për administrimin e pyjeve parashikohen rreth 823 milionë lekë. Raporti i Komisionit thekson se menaxhimi i pyjeve duhet të garantojë mbrojtjen e biodiversitetit dhe funksionimin natyror të ekosistemeve, pa i nënshtruar këto objektiva ndaj interesave ekonomike. Komisioni evidenton gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve kundër prerjeve dhe trafikimit të paligjshëm të drurit, si dhe për koordinim ndërinstitucional, përfshirë institucionet e mbrojtjes civile.
Këto konstatime kërkojnë që projektbuxheti të shoqërohet me objektiva të qarta: sa stacione monitorimi do të jenë funksionale, cilat zona do të mbulohen, sa do të rritet trajtimi i ujërave të ndotura, si do të publikohen të dhënat për qytetarët, dhe sa do të ulen zjarret e pyjeve përmes parandalimit dhe kapaciteteve të shuarjes.
Paketa Fiskale 2027
Paketa Fiskale 2027 duhet analizuar edhe për ndikimin e saj mjedisor. Qeveria propozon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër mbi benzinën dhe gazoilin, ristrukturimin e taksave të automjeteve dhe vendosjen e një takse vjetore prej 15,000 lekësh për automjetet elektrike. Në të njëjtën kohë, propozohet rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.
Lehtësimi i kostove të transportit mund të ketë efekte pozitive ekonomike. Megjithatë, këto ndryshime kërkojnë edhe një analizë të ndikimit mbi konsumin e karburanteve, ndotjen e ajrit dhe objektivat klimatike. Në veçanti, duhet sqaruar si përputhet vendosja e një takse të re për automjetet elektrike me politikat për nxitjen e transportit me emetime të ulëta.
Shqyrtimi parlamentar dhe kërkesat tona
Komisioni Europian kërkon shprehimisht përgatitjen e planeve të financimit për investimet prioritare mjedisore. Projektbuxheti 2027 u depozitua përpara publikimit të raportit, por shumë prej rekomandimeve të Komisionit janë përsëritur nga vitet e mëparshme. Prandaj, gjatë shqyrtimit parlamentar, duhet verifikuar nëse ekziston një lidhje e qartë ndërmjet rekomandimeve europiane, fondeve të parashikuara dhe rezultateve që synohen.
Për këto arsye, kërkojmë nga qeveria dhe Ministria e Mjedisit:
- Paraqitjen në Kuvend të një plani financiar për përmbushjen e rekomandimeve të Kapitullit 27, me afate, institucione përgjegjëse dhe burime financimi.
- Sqarimin e masave dhe financimeve për mbrojtjen e zonave Pishë Poro–Nartë, Bunë–Velipojë dhe zonave të tjera me rëndësi për rrjetin Natura 2000.
- Publikimin e plotë të detyrimeve financiare dhe rezultateve të kontratave koncesionare në sektorin e mbetjeve.
- Vendosjen e treguesve të matshëm për cilësinë e ajrit, monitorimin e ujërave, mbrojtjen e pyjeve dhe biodiversitetit.
- Publikimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor të ndryshimeve të propozuara në taksimin e karburanteve dhe automjeteve.
- Raportimin periodik në Kuvend për ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Europian.
Mbrojtja e mjedisit nuk mund të mbetet vetëm një angazhim në dokumentet strategjike. Ajo është një detyrim konkret i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nëse synojmë të përmbyllim negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duhet të tregojmë se kemi jo vetëm ligje, por edhe institucione, kapacitete, financime dhe vullnet për t’i zbatuar ato.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse projektbuxheti 2027 financon realisht mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve europiane, apo nëse këto angazhime mbeten pa një plan të qartë financiar dhe rezultate të matshme.
Burimi: shqiptarja.com










