ANTALIA, 10 nëntor /ATSH/ – Bashkimi Evropian i është bashkuar një zotimi të ri global për zhvillimin e energjisë gjeotermale, gjatë negociatave të Konferencës së OKB-së për Klimën, COP31, që po zhvillohet këtë javë në Antalia të Turqisë, njoftoi në faqen zyrtare Komisioni Evropian.
Nisma, e quajtur “Ambicia Globale për Energjinë Gjeotermale 2050”, është prezantuar nga Presidenca turke e COP31, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA).
Ajo synon të rrisë në mënyrë të koordinuar furnizimin global me energji gjeotermale, për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjen, në një nivel 12 herë më të lartë se ai i vitit 2025 deri në vitin 2050.
Zotimi mbështetet në analizat e IRENA-s, sipas të cilave furnizimi i përgjithshëm me energji gjeotermale për ngrohje dhe prodhimin e energjisë elektrike mund të rritet nga rreth 2,5 ekzaxhaulë (EJ) aktualisht, në rreth 31 EJ deri në vitin 2050.
Ndërkohë, kapaciteti global i instaluar për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet gjeotermale, parashikohet të rritet nga 15,6 gigavatë (GW) në vitin 2025, në 193 GW deri në mesin e shekullit.
Angazhimet e vendeve nënshkruese
Nisma parashikon që vendet nënshkruese të angazhohen për forcimin e politikave dhe krijimin e mundësive të reja për investime, me qëllim përshpejtimin e përdorimit të energjisë gjeotermale.
Gjithashtu, ajo përfshin mbështetjen e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik, forcimin e zinxhirëve të furnizimit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe asistencën teknike, duke respektuar njëkohësisht përgjegjësinë mjedisore dhe sociale.
Qëndrimi i Brukselit
Komisioneri i BE-së për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jorgensen, theksoi rëndësinë e energjisë gjeotermale për sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës.
“Energjia gjeotermale ka një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së Evropës. Ajo ofron një burim të besueshëm dhe të pastër për ngrohje dhe ftohje, si dhe prodhim të vazhdueshëm të energjisë elektrike, të pavarur nga kushtet atmosferike dhe luhatjet e çmimeve në tregjet globale të energjisë”, deklaroi Jorgensen.
Ai shtoi se shfrytëzimi i këtij burimi të pastër energjie, mund të ndihmojë në uljen e emetimeve, garantimin e energjisë me çmime të përballueshme për qytetarët dhe bizneset, si dhe forcimin e autonomisë strategjike të Evropës.
“Duke iu bashkuar këtij zotimi, Bashkimi Evropian rikonfirmon angazhimin e tij për të shfrytëzuar plotësisht, potencialin e energjisë gjeotermale, si një shtyllë e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, më rezistent dhe më të diversifikuar”, përfundoi komisioneri evropian. //a.i/
Burimi: ata.gov.al










