Një produkt i ri i markës Skims, në pronësi të Kim Kardashian, ka shkaktuar një valë kritikash në rrjetet sociale, duke detyruar kompaninë të marrë masa dhe t’u ofrojë klientëve rimbursim të plotë.
Bëhet fjalë për kalendarin e ardhjes së Krishtlindjes (Advent Calendar), i cili kushtonte 148 dollarë dhe premtonte 12 ditë me surpriza të ndryshme. Por, ajo që duhej të ishte një dhuratë festive, rezultoi një zhgënjim për shumë blerës, të cilët kritikuan ashpër cilësinë dhe përmbajtjen e tij.

Përmbajtja e kalendarit
Kalendari përfshinte kryesisht aksesorë të vegjël, si kapëse flokësh, lidhëse, varëse çelësash dhe një pasqyrë të vogël portative. Për shumë përdorues, këto produkte nuk justifikonin aspak çmimin e paguar, madje disa i krahasuan me sende që mund të gjenden në dyqane me çmime shumë më të ulëta.
Reagimet në TikTok dhe Reddit nuk kanë munguar. Një përdorues e krahasoi përmbajtjen me gjërat që macja e tij mbledh nëpër shtëpi, ndërsa një tjetër ironizoi duke thënë se dukej sikur Kim Kardashian kishte zbrazur sirtarin e komodinës së saj për të krijuar kalendarin. Disa të tjerë publikuan video duke pastruar divanet e tyre, duke pretenduar me humor se kishin gjetur aksidentalisht një kalendar të ngjashëm me atë të Skims.

Reagimi i kompanisë
Pas gjithë këtyre reagimeve, kompania ka vendosur t’u ofrojë klientëve që kanë blerë produktin mundësinë e një rimbursimi të plotë nëse e kthejnë atë, ose kredit në dyqan nëse vendosin ta mbajnë.

“Ne e kuptojmë që produkti nuk i përmbushi pritshmëritë e klientëve dhe na vjen vërtet keq”, thuhet në mesazhin e dërguar nga kompania. Një zëdhënës i Skims konfirmoi gjithashtu se çdo klient është kontaktuar personalisht dhe se komentet e tyre do të ndikojnë në mënyrën se si marka do të prezantojë produktet e ardhshme.
Ndërkohë, kalendari është hequr nga faqja zyrtare e Skims.
Konteksti i markës
Kjo situatë vjen në një moment kur marka po synon të zgjerohet në kategori të reja, përfshirë sektorin e bukurisë, ndërsa ka bashkëpunime me emra të njohur si Nike, The North Face dhe Fendi. E themeluar në vitin 2019 nga Kim Kardashian, Skims u vlerësua me 5 miliardë dollarë në vitin 2025, duke u kthyer në një prej bizneseve më të suksesshme të sipërmarrëses.
Burimi: bordo.al









