Blerësit e kalendarit të Adventit të kompanisë Skims, që i përket Kim Kardashian, kanë marrë një surprizë të pakëndshme. Kalendari kushtonte 148 dollarë, por përmbante kryesisht aksesorë të vogël si llastikë flokësh, kapëse dhe varëse çelësash.
Videot e klientëve bëhen virale
Videot ku klientët hapin një nga një 12 kutitë e kalendarit u bënë virale në rrjetet sociale, me dhjetëra miliona shikime. Shumë blerës e cilësuan produktin si zhgënjimin më të madh të sezonit festiv dhe vunë në pikëpyetje vlerën e artikujve në krahasim me çmimin e paguar. Një nga videot, e publikuar më 5 nëntor, arriti mbi 60 milionë shikime. “Kimberly, po fillon të më acarosh vërtet. Kjo është shumë e shtrenjtë”, shprehej një nga klientët e zhgënjyer.
Reagimi i kompanisë
Në komentet e tyre, përdoruesit ironizuan përmbajtjen, duke thënë se artikujt dukeshin si sende të zakonshme që mund të gjenden në fund të një çante apo mes sediljeve të makinës. Pas reagimeve të shumta, Skims njoftoi se kishte kontaktuar personalisht të gjithë klientët që e kishin blerë produktin dhe u kishte ofruar dy mundësi: rimbursim të plotë ose kredit për të blerë produkte të tjera të kompanisë.
Në një deklaratë për mediat amerikane, kompania pranoi se kalendari nuk i kishte përmbushur pritshmëritë e disa klientëve dhe theksoi se reagimet e tyre do të merren parasysh në lançimet e ardhshme. Pavarësisht polemikave, kalendari figuron ende si i shitur në faqen zyrtare të Skims, ku të interesuarit mund të regjistrohen në listën e pritjes.
Burimi: gazetashqiptare.al










