Kryepolici Skënder Hitaj tregoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme fotot e efektivëve të lënduar në protesta, pasi deputeti opozitar Erald Kapri i kërkoi dorëheqjen dhe akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve.
Hitaj tha se efektivët u përballën me një breshëri gurësh dhe se për mjetet speciale të përdorura në protesta nuk është shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit, pasi ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere.
“Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar.
Sa u përket dëmtimeve të punonjësve të policisë, nuk do të doja të kishte asnjë të dëmtuar. Por fakti është se, ditën e parë të protestës, policia ka qenë në ruajtje të objekteve shtetërore dhe është kujdesur për mbarëvajtjen e tubimit. Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë, me një breshëri gurësh. Është ndërmarrë edhe një sulm ndaj institucioneve. Ka punonjës me këmbë të thyer dhe me dëmtime në kafkë, si në Shkodër”, tha Skënder Hitaj.
Akuzat e deputetit
Deputeti Erald Kapri hodhi akuza ndaj kryepolicit Skënder Hitaj se në protestë është përdorur “top akustik” si në Serbi për të shpërndarë protestën. Sipas tij, edhe ekspertë specialë nga Serbia janë marrë për të menaxhuar protestat në Tiranë. Por akuzat u hodhën poshtë nga Kreu i Policisë së Shtetit, i cili tha se janë spekulime.
Në dëgjesën për buxhetin në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Kapri kërkoi të dinte kush e urdhëroi dislokimin e efektivëve të armatosur të RENEA-s rreth Kryeministrisë dhe nëse hetimet për dhunën e pretenduar të policëve ndaj protestuesve po shkojnë deri te zinxhiri komandues. “Ju nuk jeni drejtori i policisë së Ramës”, i tha Kapri Hitajt.
“Ju nënvizuat fjalën ‘pajisje’, duke evidentuar se policia do të ketë makina, pajisje të reja, armë të tipit ‘shotgun’ dhe pistoleta elektrike. Në menaxhimin e protestës është vënë re përdorimi i disa pajisjeve të reja, përfshirë katër botet e ujit dhe dronët mbi kokat e protestuesve, ku u hodhën edhe bomba me gaz. Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? A janë dhuruar? Nëse po, nga kush?
Cilët janë hapat konkretë që keni ndërmarrë për aktet e dhunës nga efektivët ndaj protestuesve? A po shkojnë hetimet deri te zinxhiri komandues? Ku jeni mbështetur në ligjin shqiptar dhe në konventa kur, pasi tentoni të neutralizoni elementët e dhunshëm në protestë, policia sulet për të shpërndarë protestuesit, duke angazhuar efektivë dhe mjete të paidentifikuara? Në 62 raste, gjykata ka thënë se arrestimet kanë qenë të paligjshme. Kush e dha urdhrin që RENEA të dilte në terren me armë dhe të rrethonte Kryeministrinë?
Policia ka detyrë të mbajë rendin kushtetues. Është e mirëpajisur dhe përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë proporcional. E ka për detyrë të thyejë vijën e parë të dhunshme, sepse mbron rendin kushtetues. Por çfarë ka policia me dhjetëra mijë të tjerë, që i gjurmon nëpër rrugë, i rreh dhe i çon nëpër komisariate? Më gjeni një manual në vendet perëndimore që parashikon përdorimin e kësaj dhune policore.
Ju nuk jeni drejtori i policisë së Ramës. Keni mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe. Keni për detyrë të mbroni institucionet, por duhet të kuptoni edhe revoltën e të rinjve. Ju nuk mund t’u lëshoheni me makina pa targa dhe me oficerë që rrahin të rinjtë. Unë kërkoj dorëheqjen tuaj”, tha Kapri.
Burimi: shqiptarja.com










