Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Largimi masiv i të rinjve, kosto e fshehtë për moshën e tretë

Largimi masiv i të rinjve, kosto e fshehtë për moshën e tretë
Foto: gazetadita.al

Vdekja e 79-vjeçares Zhulejta Ruvina, e gjetur në apartamentin e saj në Pogradec tre ditë pasi kishte ndërruar jetë, është një kronikë e rëndë e përsëritur. Por përtej kësaj, ajo është pika ku kryqëzohen disa procese të pashmangshme që po riformësojnë shoqërinë shqiptare: shpopullimi i qendrave të vogla, plakja e përshpejtuar e popullsisë, shkëputja fizike e brezave për shkak të emigrimit dhe mungesa e infrastrukturës për kujdesin shoqëror.

Rasti ka një detaj thelbësor që e bën akoma më domethënës. E ndjera nuk ishte e braktisur në kuptimin klasik të fjalës. Fëmijët jetonin në SHBA, kujdeseshin nga larg dhe ajo kishte kaluar periudha pranë tyre, para se të kthehej në vendlindje. Ky fakt e zhvendos problemin nga “mungesa e dashurisë familjare” te pamundësia strukturore e jetës në distancë. Dashuria dhe mbështetja financiare nga jashtë nuk e zëvendësojnë praninë e përditshme, vëzhgimin rutinor dhe reagimin e shpejtë kur ndodh e papritura.

Për dekada, emigrimi shqiptar është lexuar kryesisht përmes remitancave, rritjes së konsumit dhe zbrazjes së tregut të punës. Më rrallë është analizuar si ndryshim i heshtur i strukturës familjare, ku brezi i tretë mbetet pas në banesa gjithnjë e më të izoluara.

Dikur, familja e zgjeruar ose lagjja funksiononin si amortizator i natyrshëm për të moshuarit. Sot, kur fëmijët ndodhen mijëra kilometra larg, çdo episod shëndetësor ose çdo ngjarje e përditshme bëhet e rrezikshme.

Rikthimi i të moshuarve në vendlindje, për qetësi, kujtime, pronë ose ritëm më të njohur, përballet me një realitet më të brishtë se sa duket nga distanca.

Vetmia që fshihet pas dyerve

Në qytete si Pogradeci, ku numri i të moshuarve që jetojnë vetëm llogaritet në rreth 800 persona, pa llogaritur njësitë administrative, në një qark me mbi 60 mijë pensionistë, vetmia fshihet lehtë pas dyerve të mbyllura. Mungesa e një personi vihet re vetëm kur kalojnë ditë.

Në raportimet mbi ngjarjen, institucionet lokale thonë se shërbimi social nuk ka kapacitete për shërbim në banesë. Ky pranim tregon se politika sociale për moshën e tretë ka mbetur prapa ritmit të realitetit demografik. Institucioni lokal citohet duke thënë se zgjidhja “do të ishte një qendër rezidenciale”. Kjo tingëllon më shumë si deklaratë për t’u kthyer në agjendën mediatike, sesa si politikë e financuar dhe e zbatueshme.

Qendrat rezidenciale nuk janë zgjidhja e vetme

Edhe ideja e qendrave rezidenciale kërkon një qasje më realiste dhe të nuancuar. Jo të gjithë pranojnë institucionalizimin. Shumë të moshuar nuk duan të largohen nga shtëpia, lagjja apo pavarësia e tyre e pakët, aq më tepër kur nuk kanë probleme të rënda shëndetësore që e bëjnë jetën në banesë të pamundur.

Shërbimi në banesë është hallka e parë. Për të moshuarit që jetojnë vetëm, nevoja e menjëhershme nuk është domosdoshmërisht azili. Monitorimi i rregullt, vizitat e punonjësve socialë ose infermierëve, butoni i emergjencës dhe mbështetja në përditshmëri janë politika të njohura në shtetet me sistem social të zhvilluar.

A kemi politikanë, deputetë dhe administratorë pushteti, në qendër apo në qarqe, që kanë vullnetin dhe mjetet për t’i zgjidhur këto probleme realisht, jo për shfaqje publike apo podkaste? Deri tani kemi parë “aksione”, por zgjidhje afatgjata jo. Kjo nuk është vetëm çështje humanitare. Mosveprimi krijon kosto, nëse shteti dhe bashkitë investojnë pak ose aspak në parandalim dhe kujdes komunitar.

Shqipëria po plaket shpejt dhe po zbrazet njëkohësisht. Raste si ai i Zhulejta Ruvinës janë paralajmërime të qarta se vetmia e të moshuarve nuk është çështje rastësore. Duhen politika të qëndrueshme të kujdesit të afërt dhe mekanizma mbështetës për familjet me emigrantë. Pa investime reale në shërbimet sociale vendore, raste të tilla do të vazhdojnë të përsëriten.

DITA

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha