Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Katër burra fajtorë në Britani për abuzimin seksual të një gruaje të drogosur nga bashkëshorti

Katër burra fajtorë në Britani për abuzimin seksual të një gruaje të drogosur nga bashkëshorti
Foto: albeu.com

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Britani, pasi katër persona u shpallën fajtorë për abuzim seksual ndaj një gruaje. Për më shumë se një dekadë, bashkëshorti i saj e kishte droguar fshehurazi dhe e kishte ofruar për marrëdhënie seksuale me të panjohur, pa dijeninë e viktimës.

Vendimi u mor të martën në Gjykatën e Kurorës në Winchester, sipas raportimeve të Daily Mail.

Autori i veprave dhe hetimi

Philip Young, 50 vjeç, ish-anëtar i këshillit konservator të Swindon, kishte pranuar më parë fajësinë për 56 vepra penale, përfshirë përdhunimin dhe drogimin e bashkëshortes së tij, Joanne Young, në banesën e tyre në Swindon, Wiltshire.

Sipas organit të akuzës, ai e vinte në gjumë gruan me substanca narkotike dhe më pas ftonte burra të tjerë përmes platformave si Craigslist, Grindr dhe Fab Swingers për ta abuzuar atë pa dijeninë e saj. Gjatë hetimeve u zbulua se Young kishte regjistruar 480 fotografi dhe video intime të gruas në 200 raste të ndryshme, si dhe kishte publikuar materiale të tilla online në të paktën 500 raste.

Hetimi filloi pasi autoritetet u njoftuan në vitin 2023 se ai kishte ngarkuar në internet përmbajtje pornografike ekstreme.

Fajtorët e tjerë dhe vendimi i jurisë

Juria i shpalli fajtorë: Norman Macksoni, 48 vjeç, për përdhunim; Richard Wilkins, 62 vjeç, për përdhunim dhe sulm seksual; Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, për sulm seksual; dhe Mohammed Hassan, 38 vjeç, për sulm seksual. Ndërkohë, Dean Hamilton, 47 vjeç, kishte pranuar më herët fajësinë për përdhunim dhe sulme seksuale.

Prokurori i CPS, James Foster, deklaroi se ky është rasti i parë në Mbretërinë e Bashkuar ku një juri shqyrton dhe dënon një skemë abuzimi seksual të organizuar dhe të lehtësuar me drogë nga vetë bashkëshorti.

Deklarata e viktimës

Joanne Young, e cila hoqi dorë nga e drejta e anonimitetit, doli nga salla e gjyqit me lot në sy, por duke buzëqeshur ndaj oficerëve të policisë.

Ajo u shpreh se abuzimi i shkatërroi jetën që njihte dhe se personi të cilit i besonte më shumë në botë e tradhtoi në mënyrën më mizore. Sipas saj, ndikimi ka qenë shkatërrues për të dhe fëmijët e saj, dhe theksoi se ajo që i ndodhi nuk ishte vepër e një njeriu të vetëm, pasi të tjerët u ftuan dhe zgjodhën të merrnin pjesë, çka i bën ata bashkëpërgjegjës.

Joanne i kërkoi qeverisë të rishikojë me përparësi legjislacionin mbi pëlqimin, në mënyrë që gratë të kenë mbrojtjen e duhur në të ardhmen.

Gjykatësi Mr Justice Saini e vlerësoi atë për guximin e jashtëzakonshëm gjatë gjithë procesit gjyqësor. Një oficer policie u pa duke qarë teksa largohej nga salla. Të pandehurit u njoftuan se duhet të presin dënime të rënda me burgim, të cilat do të shpallen më 21 dhe 22 dhjetor.

Krahasimi me rastin Pelicot

Ky rast u krahasua me atë të njohur të Gisele Pelicot në Francë, bashkëshorti i së cilës e drogonte dhe ftonte rreth 50 burra për ta abuzuar. Edhe Pelicot hoqi dorë nga anonimiteti. Policia britanike kërkoi ndihmën e hetuesve francezë për të ndërtuar çështjen.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha