Liderët evropianë janë shprehur të gatshëm të ulen në tryezën e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Deklaratat u bënë gjatë samitit të zhvilluar në Berlin, ku aliatët e Kievit diskutuan mundësitë për arritjen e paqes dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se Evropa ka një qëndrim të përbashkët për negociatat, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se kërkesat e Moskës janë të parealizueshme.
Mbështetja e SHBA-së për përfshirjen e Evropës
Edhe Shtetet e Bashkuara po mbështesin përfshirjen e Evropës në bisedime. Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe një prej të dërguarve amerikanë, tha se Trump beson se paqja është e mundur dhe dëshiron të arrijë një marrëveshje me Rusinë, me Evropën në krah.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se nuk e kundërshton pjesëmarrjen e vendeve evropiane në negociata, por kërkon të dijë se çfarë do të kontribuojnë ato në këtë proces. Ai bëri të ditur se Moska i ka ftuar përfaqësuesit evropianë në Rusi për të diskutuar qëndrimet e tyre.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tregua më pak optimist. Ai tha se Putin ka refuzuar deri më tani çdo propozim për paqe.
Garancitë e sigurisë për Ukrainën
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte edhe siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës. Sipas Kushner, Rusia është më e hapur ndaj idesë që Kievi të marrë garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, të cilat parashikojnë mbrojtjen e një vendi në rast sulmi. Megjithatë, Moska vijon të kundërshtojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake.
Kancelari gjerman Merz theksoi se çdo negociatë për sigurinë evropiane duhet të nisë me një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje aleatëve që të furnizojnë Kievin me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për t’u përballur me sulmet ruse.
Sulmet vazhdojnë gjatë diskutimeve
Ndërkohë, ndërsa zhvilloheshin diskutimet diplomatike, Rusia vijoi sulmet ndaj Ukrainës. Në Kiev, një sulm me dron ndaj një ndërtese banimi shkaktoi një viktimë, ndërsa dëme u raportuan edhe në ambasadat e Holandës dhe Austrisë, si dhe në Katedralen e Shën Vladimirit.
Putin paralajmëroi gjithashtu se përgjigjja e Rusisë ndaj sulmit ukrainas në Urën e Krimesë do të jetë shumë më e ashpër. Pavarësisht kësaj, ai pretendoi se Moska është e interesuar për përfundimin e luftës dhe e gatshme për kompromis.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nisi në shkurt të vitit 2022. Pavarësisht disa raundeve negociatash gjatë vitit të fundit, sulmet vijojnë dhe Moska nuk ka ndryshuar kërkesat e saj për territoret ukrainase. Ndërkohë, Ukraina dhe aleatët evropianë akuzojnë Kremlinin se po godet infrastrukturën energjetike të vendit, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike dhe ujë të miliona qytetarëve gjatë dimrit.
Burimi: abcnews.al









