TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, duke e akuzuar për përgjegjësi në trajtimin e studentëve dhe protestuesve në ambientet e ministrisë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe akuzoi ministren se u kishte vënë në dispozicion sallat e institucionit efektivëve të policisë, ku, theksoi ai, studentët dhe qytetarët u mbajtën në kushte dhune.
“Ju nuk keni më të drejtë të qëndroni asnjë sekondë ministre arsimi me atë akt të papërgjegjshëm që bëre, duke i dhënë sallat e ministrisë banditëve me uniformë”, deklaroi Berisha, duke kërkuar largimin e Kumbaros nga detyra.
Kritika për Universitetin e Korçës dhe kampusin e Tiranës
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu vendimin për transformimin e korpusit të Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Korçës në gjimnaz. Sipas tij, hapësirat universitare duhet të ruhen për nevojat e arsimit të lartë dhe, nëse mungojnë studentët në degë të caktuara, të përshtaten programe të tjera studimi.
“Vlerësojmë vazhdimin e traditës frankofone dhe konsolidimin e saj, në të cilat në mënyrë të padiskutueshme liceu i Korçës ka qenë një institucion shumë i rëndësishëm. Por absolutisht e konsideroj të papranueshme që të merrni korpusin e Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Korçës dhe ta transformoni në një gjimnaz”, tha ai.
Berisha ngriti shqetësimin edhe për kampusin universitar në Tiranë, duke theksuar se studentët janë lënë pa hapësirat e nevojshme dhe përballen me vështirësi për të përballuar kostot e qirasë.
“Të njëjtën gjë bëri me kampusin e studentëve në Tiranë. Në vend se ta ndërtoni me projekte e me të gjitha, e merrni dhe ia jepni dhe i lini studentët për të shkuar në universitetet e botës se nuk përballojnë dot qiranë”, tha ai.
Gjendja e arsimit të lartë dhe buxheti
Duke folur për gjendjen e arsimit të lartë, ai kritikoi kriterin e mesatares për pranimin në universitete, të cilin e cilësoi si pengesë për të rinjtë në zonat jashtë Tiranës. Berisha u shpreh se numri i studentëve është përgjysmuar gjatë viteve të fundit dhe se ka pasur rënie të përqindjes së shqiptarëve me arsim të lartë.
“Universitetet janë sot në kohën më të vështirë të tyre. Në periferi ato po mbyllen sepse mesatarja e caktuar për të hyrë në universitet nuk kapet dot nga 80 për qind të gjimnazeve jashtë Tirane. Në të gjithë kohërat arsimi ka pasur një nga misionet kryesore të tij luftën ndaj varfërisë”, tha Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu buxhetin për arsimin, të cilin e cilësoi të pamjaftueshëm, si dhe ndërprerjen e mbrojtjes së doktoraturave. Sipas Berishës, ky vendim dëmton kërkimin shkencor dhe zhvillimin e universiteteve.
“Nuk mund të ketë kurrë universitet pa kërkim shkencor. Kërkimi shkencor është shtylla më kryesore e aftësimit, kualifikimit dhe lartësimit të universiteteve”, u shpreh ai.
/gj.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










