Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Berisha kritikon Buxhetin 2027 si skemë vjedhjeje ndaj qytetarëve

Berisha kritikon Buxhetin 2027 si skemë vjedhjeje ndaj qytetarëve
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj buxhetit të vitit 2027 të miratuar një ditë më parë në Kuvend, duke akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike.

Akuza për financimin e buxhetit

Në “Foltoren e Ripërtëritjes” nga Kamza, Berisha u shpreh se buxheti prej 10 miliardë eurosh financohet nga taksat, tarifat dhe kontributet e qytetarëve shqiptarë.

“10 miliardë euro do të thotë se nga xhepat e qytetarëve këta marrin 10 miliardë euro. Asnjë qindarkë, asnjë euro nuk prodhon qeveria. Paratë vijnë që të gjitha nga mundi, nga djersa, nga sakrifica e qytetarëve. Në mënyrë absolute ajo skemë që u vendos mbrëmë ishte si t’i vjedh më shumë këta qytetarë”, deklaroi Berisha.

Fondet për investime

Duke u ndalur te fondet e parashikuara për investime, kreu i PD-së u shpreh se nga 2,2 miliardë eurot e programuara për këtë zë, të paktën 1,8 miliardë euro do të vidhen.

“Kishin caktuar 2,2 miliardë euro investim. Rruga e Kombit, Rruga e Elbasanit, rruga Levan-Vlorë, rruga Levan-Tepelenë, rruga Tiranë-Elbasan, rruga Korçë-Qafë Plloçë, të gjitha të marra së bashku u garantoj se nuk shkojnë 2,2 miliardë. Do t’i vjedhin në mënyrë absolute, jo më pak se 1,8 miliardë”, tha Berisha.

Ai përmendi projektin e inceneratorit të Tiranës, impiantin e ujërave të zeza të Lanës, kostot e ndërtimit të rrugëve dhe shkollave.

“Caktojnë 130 milionë për djegësin e Tiranës dhe aty nuk venë asnjë tullë dhe paratë i vjedhin. Caktojnë 120 milionë impiantin e ujërave të zeza të Lanës dhe aty nuk ekziston një tullë. Ndërtojnë rrugën me çmim 8 deri 12-fish. Ndërtojnë shkollën nga 700 apo maksimumi 1 milion e 200 mijë euro, e ndërtojnë me 8 deri në 10 milionë”, deklaroi ai.

Fondet për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët

Berisha u ndal gjithashtu te fondet e parashikuara për ish-të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, duke i cilësuar ato të pamjaftueshme.

“Të përndjekurve politikë u lanë gjithsej 20 milionë, në një kohë kur pa asnjë lloj cenimi u liheshin të paktën 100 milionë euro kompensim. Ish-pronarëve u lanë gjithsej 40 milionë, në një kohë kur pa asnjë vështirësi mund t’u liheshin të paktën 200 milionë”, u shpreh Berisha.

/m.m/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha