Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

IMF: Pensionet nuk duhen rritur me bonuse, por mosha e daljes duhet lidhur me jetëgjatësinë

IMF: Pensionet nuk duhen rritur me bonuse, por mosha e daljes duhet lidhur me jetëgjatësinë
Foto: shqiptarja.com

Bonuset mujore nuk janë zgjidhje për skemën e pensioneve; duhet një reformë e re. Ky është qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili sqaron për Report TV se vazhdimi i skemës së bonuseve mujore për pensionet e dobëson lidhjen midis kontributit dhe përfitimit.

“Bonuset e dhëna në mënyra të veçanta dobësojnë lidhjen ndërmjet kontributeve dhe përfitimeve, si dhe e bëjnë planifikimin buxhetor më pak të parashikueshëm. Për këtë arsye, mbështetja duhet të integrohet në një kuadër transparent, të bazuar në rregulla të qarta”, thekson FMN.

Fokusi i reformës

Sipas FMN, fokusi duhet të jetë tek reformimi i skemës, në mënyrë që ajo të jetë më e qëndrueshme, dhe të merren masa për të nxitur punësimin formal.

“Objektivi duhet të jetë përmirësimi i mjaftueshmërisë së pensioneve, duke ruajtur lidhjen ndërmjet kontributeve që individët paguajnë gjatë jetës aktive në punë dhe pensioneve që përfitojnë, duke mbështetur stimujt për punësim formal dhe duke garantuar qëndrueshmërinë financiare të sistemit”, vijohet më tej.

Mosha e daljes në pension

FMN rekomandon barazimin e moshës së daljes në pension mes burrave dhe grave në 67 vjeç, si dhe rritjen e moshës për të përfituar pension, e cila sipas këtij institucioni duhet të lidhet me jetëgjatësinë.

“Prioritetet duhet të përfshijnë rritjen e pjesëmarrjes në skemën formale të sigurimeve shoqërore dhe përmirësimin e respektimit të detyrimeve për pagesën e kontributeve; barazimin e moshës së daljes në pension për gratë dhe burrat, në përputhje me acquis-në e BE-së; si dhe lidhjen e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë”, thotë FMN.

Pra, propozohet që sa më e gjatë të jetë jetëgjatësia mesatare në Shqipëri, aq më larg të jetë dalja në pension.

Mbështetja për pensionistët

“Reformimi i sistemit nuk nënkupton ndërprerjen e mbështetjes për pensionistët në nevojë. Përkundrazi, synimi është që kjo mbështetje të ofrohet në mënyrë transparente dhe të parashikueshme, duke shmangur masa që dobësojnë stimujt ose krijojnë detyrime afatgjata pa burime të siguruara financimi. Mbështetja për shtresat më të varfra të popullsisë, përfshirë pensionistët me të ardhura të ulëta, mund të shënjestrohet më mirë përmes sistemit të mbrojtjes sociale”, përfundon përgjigja e Shefit të Misionit të FMN, Diego Cerdeiro.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha