TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë tetorit u regjistruan 103 aksidente rrugore, 11,2% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur zbriti në 131, duke shënuar një rënie prej 20,1% në terma vjetorë.
Shkaqet e aksidenteve
Analiza e shkaqeve evidenton se 89,3% e aksidenteve të muajit tetor erdhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, çka e vendos respektimin e rregullave të qarkullimit në qendër të sfidave për përmirësimin e sigurisë rrugore. Për sa i përket shpërndarjes sipas grupmoshave, drejtuesit e moshës 25-34 vjeç përbënin 24,3% të rasteve. Orari 19:00-24:00 rezultoi më problematiku, duke përqendruar 26,2% të aksidenteve. Ndërsa e mërkura dhe e premtja ishin ditët me numrin më të lartë të rasteve, me nga 18,4% secila.
Bilanci i dhjetëmujorit
Pavarësisht rënies së regjistruar në tetor, bilanci i dhjetëmujorit paraqitet në rritje. Nga janari deri në tetor 2026, në vend u regjistruan 1193 aksidente rrugore, kundrejt 1144 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 4,3% më shumë. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1639, me një rritje prej 2,1%.
Qarqet me rritjen më të madhe
Tirana dhe Durrësi rezultojnë qarqet me shtimin më të madh të aksidenteve, duke përqendruar së bashku rreth 48% të rasteve në rang kombëtar.
Në Durrës u regjistruan 135 aksidente, nga 77 një vit më parë, me një rritje prej 75,3%. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur në këtë qark u rrit me 51,7%, duke arritur në 182.
Në Tiranë, aksidentet arritën në 435 raste, ose 25,7% më shumë se në dhjetëmujorin e vitit 2025, ndërsa numri i personave të vrarë dhe të plagosur shkoi në 529, nga 433 një vit më parë. Rritje të aksidenteve u shënuan edhe në qarqet Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe Fier. Në të kundërt, Shkodra regjistroi rënien më të madhe, me 43,8%, ndërsa ulje u evidentuan edhe në Berat dhe Dibër.
Metodologjia
INSTAT bën të ditur se statistikat bazohen në të dhënat e Policisë së Shtetit dhe përfshijnë aksidentet rrugore me të paktën një person të plagosur ose të vrarë. Të dhënat janë paraprake dhe mund të përditësohen.
/e.xh/r.e/
Burimi: ata.gov.al










