Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë deklaroi të premten fajtorë 12 prej të pandehurve të dosjes së quajtur “Revanshi”, të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar duke përfituar uljen e 1/3-ës së dënimeve. Ata u gjetën fajtorë për vepra kriminale të rënda, si sigurim të kushteve për vrasje, grup i strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Të pandehurit Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi u dënuan përfundimisht me nga 10 vjet burgim; Gjergji Cukali me 8 vjet burg; Besian Xhixha, Enver Diva dhe Viktor Imeraj me nga 6 vjet e 8 muaj heqje lirie; Blerim Abazi, Robert Laçi dhe Satilno Basho me nga 6 vjet burg; Naim Stafuka me 5 vjet; Xhelal Rraja 4 vjet dhe Miri Bruli 3 vjet e 4 muaj burgim. Gjykata ka vendosur shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të dënuarit Bruli, pasi koha që ka qëndruar në paraburgim është më e madhe nga masa ndëshkuese e dhënë ndaj tij.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Bani dhe anëtarë Flora Hajredinaj e Bib Ndreca.
Akuzat e SPAK-ut për Avdylin, Shullazin, Abazin dhe Stafukën
Sipas SPAK, të pandehurit Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi dhe Blerim Abazi, gjatë muajve janar-korrik 2020 dhe i pandehuri Naim Stafuka, gjatë muajit gusht 2020, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami. Po ashtu, grupi i drejtuar prej Shullazit, është gjetur përgjegjës për goditjen e një pjesëtari të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila, ndër të tjera gjykonte dhe një çështje penale në ngarkim të tij.
Sipas SPAK, Avdyli dhe Shullazi kanë mbajtur në qeli sende të ndaluara gjatë vitit 2020, si telefona celularë që i kanë përdorur për të komunikuar me persona të tjerë jashtë burgut lidhur me një sërë veprash penale për të cilat akuzohen.
Akuzat për Xhixhën, Divën, Laçin dhe Cukalin
Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi akuzohen se gjatë muajve gusht-shtator 2020 kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Preng Gjini. I pandehuri Gjergji Cukali akuzohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë gjatë muajve korrik-shtator 2020 për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Elvis Gacaj dhe Altin Gega.
Akuzat për Imerajn, Bashon dhe Rrajën
Viktor Imeraj dhe Satilno Basho akuzohen se në muajt mars-maj 2021, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Fatmir Hyseni dhe Armando Hyseni. Xhelal Rraja akuzohet se në janar të vitit 2021 ka bashkëpunuar për të siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arben Ndoka.
Armët e gjetura në banesën e Avdylit
Astrit Avdylit i janë gjetur në banesë në qershor të vitit 2024 armë zjarri dhe municione luftarake në sasi të konsiderueshme.
Burimi: www.reporter.al










