Nga Ben Blushi
Dje pashë një dokumentar për Qazim Mulletin, ish-prefektin dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës gjatë viteve të pushtimit fashist. Tirana ka pasur gati 40 kryetarë bashkie dhe po aq prefektë, por Qazim Mulleti duhet të jetë me diferencë më i famshmi prej tyre, dhe kjo për një arsye që nuk varej fare nga ai.
Komedia që e bëri të famshëm
Qazim Mulleti nuk mbahet mend për veprat që ka bërë, por për një komedi që e shkroi dikush pa i marrë leje. Komedia Prefekti, e botuar në vitin 1948, e tregonte Qazim Mulletin si një burokrat anadollak, të trashë, makut, injorant, të korruptuar dhe hakmarrës, që zihej me gruan dhe tallej nga i biri.
Përveç që përqeshej nga banorët e Tiranës si një tiran qesharak, Qazim Mulleti përshkruhej gjithashtu si një njeri që kishte burgosur komunistët duke i spiunuar tek gjermanët. E luajtur në mënyrë mjeshtërore nga Robert Ndrenika, komedia u kthye në një estradë shëtitëse. Për 50 vjet ajo i gëzoi njerëzit çdo të djelë në mbrëmje, atëherë kur nuk kishte weekend dhe as makina, dhe gjithë shqiptarët rrinin në shtëpi nga halli.
Nuk ka fëmijë të rritur në kohën e komunizmit që nuk e ka parë me dhjetëra herë Prefektin të shkruar nga Besim Levonja. Batutat e tij përdoreshin si margarinë ideologjike në ato kohë të varfëra me ushqime, por të pasura me humor të zi. Asnjë zyrtar i asnjë kohe nuk është përqeshur më shumë se Qazim Mulleti. Kjo është fuqia fatale e letërsisë: mund të shkatërrojë një njeri të mirë, ashtu si mund ta kthejë në mit një njeri të keq.
Njeriu i vërtetë në hije
Qazim Mulleti pati fatin e keq të vuante dhunën e pamëshirshme të artit, që ndonjëherë përdoret edhe si kamzhik. Njerëzit që e njihnin nuk kishin guxim të thoshin se prefekti i vërtetë nuk ishte ai që luante Robert Ndrenika. Ai nuk ishte injorant, por dinte rreth tetë gjuhë; kishte studiuar në Vjenë; nuk ishte reaksionar, por fanolist; kishte luftuar kundër Ahmet Zogut; kishte jetuar në emigrim si kundërshtar politik dhe në disa raste kishte shpëtuar komunistë nga burgu.
Versioni i Besim Levonjës mbrohej nga shteti, që natyrisht nuk lejonte asnjë korrigjim imazhi. Është njëlloj sikur sot një shkrimtar t’i bënte prefektit të Tiranës një portret hakmarrës, sipas të cilit ai ka burgosur flamingo, dhe qeveria e nesërme e protestuesve të merrte vendim që përveç asaj fletëpaloseje satirike nuk të shkruhej asgjë tjetër për të.
Akoma më keq, ata që e kishin njohur prefektin nuk lejoheshin të thonin se ai nuk ishte ai që thuhej se ishte. Kështu i ndodhi Qazim Mulletit, i cili u arratis dhe nuk e pa kurrë komedinë rrënuese. Atëherë nuk kishte YouTube, dhe televizioni shqiptar nuk kapej në Itali, ku ai jetoi deri sa vdiq. Po të kishte mundësi, me siguri do zgjidhte të ishte pushkatuar sesa të tallej në atë mënyrë. Por tallja i kushtoi më shumë gruas dhe djalit të tij, që mbetën në Shqipëri dhe e kaluan jetën në internim.
Viktimat e komedisë
Shiti dhe Hajria vuajtën edhe më keq se Qazimi nga përçmimi popullor që shkaktoi komedia. Ata janë viktimat më të mëdha të komedisë Prefekti, dhe pa dyshim viktimat më të mëdha të artit shqiptar të të gjitha kohërave. Hajria ishte një grua e bukur nga Tirana, kurse Reshiti një djalë i vogël me flokë të verdha, që nuk i ngjante fare Shitit të komedisë, i cili i gjuante babait me këpucë në kokë. Unë kam krijuar qindra personazhe, por nuk arrij dot të futem në dramën e Reshit Mulletit, që jetoi i tallur, i përqeshur dhe i nëpërkëmbur nga një komedi e pashpirt, që shkaktoi aq shumë të qeshura duke derdhur aq shumë lot.
Dokumentari dhe takimi
Pikërisht për të zhbërë komedinë e pamëshirshme, një grup autorësh tiranas, me në krye Shkëlqim Hajdarin, prefektin që bashkoi dy prefektët, dhe Ylli Pepon, krijuan dokumentarin Qazim Mulleti i Vërtetë dhe më ftuan ta shoh. Por nga të gjitha të vërtetat e jetës së Qazim Mulletit që u renditën gjatë dokumentarit, kishte vlerë vetëm një: ardhja e Robert Ndrenikës. Apo më saktë, takimi i Qazim Mulletit me aktorin që e ktheu në mit artistik.
Me elegancën e kalorësit, Robert Ndrenika i kërkoi ndjesë familjes së Qazim Mulletit, edhe pse vetë nuk ka asnjë faj. Ai ka luajtur një rol që nuk e ka shkruar vetë, dhe ka shkëlqyer si aktor në atë rol, që mund të jetë një nga më të mirët e kinemasë shqiptare. Megjithatë, marrëdhënia mes Robert Ndrenikës dhe Qazim Mulletit do meritonte më shumë se një dokumentar. Do meritonte një film më vete, që mund të kthehej në një hit botëror.
Duke qeshur, aktori i kërkon ndjesë personazhit, të cilit i ka shkatërruar jetën. Me Prefektin, Robert Ndrenika bëri stërvitjen për Nënprefektin, që është roli i tij më i madh. Por me gjithë kujdesin e realizuesve të dokumentarit për t’i pajtuar të dy, sërish beteja e Prefektit Qazim Mulleti me Prefektin Robert Ndrenika do vazhdojë në përjetësi. Aktori nuk do ishte kurrë aq i madh pa Prefektin, dhe Qazim Mulleti nuk do ishte kurrë aq i famshëm pa Robert Ndrenikën. Secili në rolin e vet ka shkëlqyer: njëri si viktimë dhe tjetri si mjeshtër.
Mua më erdhi mirë që mora pjesë në pajtimin e Qazim Mulletit me Robert Ndrenikën. Shpresoj që ai të jetë i përjetshëm.
Burimi: kohajone.com










